Për gazetarin Erl Murati vendi ndodhet në një krizë politike e cila do të zgjasë. I ftuar në emisionin “Mbrëmje Ide” nga Mirela Milori, ai tha se në fund gjithçka do të përfundojë me një pazar mes liderëve politikë.
“Unë mendoj që në fund do përfundojë me një pazar, siç ka treguar politika moderne e 27 viteve pluralizëm. Në fund të fundit do jetë një lloj krokodili si ai takim i 18 Majit. Them pazar se unë shoh precedentin. Ne nuk e dimë se çfarë është folur dhe vendosur në marrëveshjen e 17 Majit. Ka mjaft pika të errëta. Besoj që kjo krizë do jetë e zgjatur”, tha Murati.
Murati komentoi edhe qëndrimin e Presidentit Meta. Sipas tij Meta ka mbajtur qëndrim korrekt, por nuk mund të shërbejë si negociator mes palëve. I vetmi që mund të ulë palët në tavolinë sipas Muratit është faktori ndërkombëtar.
“Ka një përpjekje të PS për ta kompleksuar Metën, për t’i thënë që je produkt i mazhorancave të kaluara dhe nuk duhet të flasësh. Zoti Meta në këtë rast ka mbajtur qëndrim korrekt. Nuk është se ia ka lënë topin njërës apo tjetrës palë. Nuk do ishte anormale edhe nëse do ishte më kritik ndaj qeverisë, por është kujdesur që të jetë deri diku i baraslarguar nga dy palët. Unë nuk besoj që Meta mund të shërbejë si negociator për të ulur palët. Palët i shoh aq të larguar, saqë vetëm ndërkombëtarët do ishin një faktor i besueshëm, që palët të ulen në tavolinë”, tha Murati.
Sipas gazetarit djegia e mandateve është akt i fortë ligjor. Megjithatë sipas tij këtë vit nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme.
“Djegia e mandateve ishte akt i fortë, megjithatë nga pikëpamja ligjore nuk e cenon vazhdimësinë e parlamentit. Mospjesëmarrja në zgjedhje do shënonte një përshkallëzim të situatës. Do ta konsideroja gjest më të rëndë. Skenari është që PS do shkojë në zgjedhje pa opozitën dhe ndoshta vitin e ardhshëm mund të kemi zgjedhje të parakohshme. Këtë vit nuk shoh zgjedhje të parakohshme parlamentare”, tha Murati./abcnews.al