“Censura e tmerrshme, në cdo gjë”, Bashkim Kuçuku rrëfen vitet si gazetar te ‘Drita’ dhe njohjen me Ismail Kadarenë

schedule13:46 - 25 Prill, 2025

schedule 13:46 - 25 Prill, 2025

Në rrëfimin e tij ne Pas Mesnatë me Leontina Nikën, shkrimtari dhe profesori i njohur, Bashkim Kuçuku, rrëfen edhe punën e tij si gazetar asokohe në gazetën Drita, por edhe njohjen me shkrimtarin e madh Ismail Kadare.

Atë kohë e kujtoj në mënyra të ndryshme për të mos thënë të kundërta, edhe bardhë edhe zi. Ana e bardhë ishte që nga njëra anë ishte fat të punohe në Lidhjen e Shkrimtarëve, në gazetën Drita, mes shkrimtarëve, nëse do mendojmë që në atë kohë vërtetë kishte shkrimtarë që u bënë të mëdhenje dhe kjo sigurisht ishte një fat. T’i dëgjosh, të ndjekësh diskutimet, vepra, etj. Ishte forca që më shtyu dhe një rastësi për të punuar për gazetën Drita. Ishte ngjarje e madhe për mua, edhe pse në fakt nuk doja te Drita doja te Nëntori.

Ana tjetër pastaj, kur mendon se si shkruhej cfarë shkruhej e cfarë nuk shkruhej, kjo ishte ajo censura e tmerrshme në cdo gjë. Unë kisha sektorin e kritikës letrare, dhe ajo ishte fusha ime, por ishte shumë vështirë. Nuk shkruanin njerëzit, si e për cfarë të shkruanin, deri ku do shkonin cfarë botohej, ishte krijuar një standard. Dilnin probleme, për të mos thënë që bëheshin skandale në kuptimin politik ideologjik, ishin veprat e Ismail Kadaresë. Dalja e një vepre të Ismailit për mua ishte shumë problem. Përse? Një, do caktohej kush do shkruante për të, do caktohej numri i faqeve të gazetës, pastaj botohej shkrimi, lindte problemi tjetër. Herë thonin është lavderuar pak, dhe sigurisht pasojat i kisha unë, herë të tjera thuhej është tejkaluar doza e vlerësimeve, cfarë po bëni pse krijoni figura të tilla. Nga cdo anë ta ktheje ishte shumë e vështirë, më pas krijohej një mikrokonflikt me Ismail Kadarenë.” -thotë ai, ndërsa sjell në kujtesë konfliktin e parë me Ismail Kadarenë.

“Konflikti ishte pikërisht nga këto, që unë isha midis, asgjë nuk bëja, vetëm merrja shkrimin, mund të jepja ndonjë mendim por zakonisht mendimi im nuk dëgjohej. Mund ta dëgjonte bashkëpunëtori që e kisha mik, por më tutje nuk e dëgjonte dhe në të gjitha rastet që Ismaili ishte i pakënaqur dilte sikur isha unë ai ‘ekzekutori’ dhe kjo ishte shumë e papëlqyeshme. Deri në miqësinë me të, ishte një proces i ngadalshëm deri te mirëbesimi. Kur ai kuptoi që unë nuk kisha asgjë, dhe natyrisht ai e dinte. Gjithmonë e kam cmuar dhe mbicmuar veprën e tij në të gjitha kuptimet, pavarësisht se kam shkruar në atë kohë shumë shumë pak, sepse nuk jam shumë i mirësjellshëm për të bërë elozhe. Rrija pa gjumë para se ta dorëzoja shkrimin, se më pas kur e dorëzoja ishte rrumbullakosur brenda kërkesave. Isha shumë i kujdesshëm, sepse një gabim të kushtonte gjithë karrierën,” kujton ai, e lidhur me këtë thotë se edhe në marrëdhëniet me studentët e tij, është mjaft i prerë në atë se cfarë kërkon./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!