Izraeli dhe shtetet e Gjirit Persik janë goditur të martën nga Irani, edhe pse presidenti amerikan, Donald Trump, tha një ditë më parë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë në bisedime me Republikën Islamike për t’i dhënë fund luftës.
Madje Trumpi shtyu ultimatumin për Iranin që ta hapë Ngushticën e Hormuzit për anijet ose do të përballet me sulme mbi termocentrale. Shtyrja nga Trumpi ndikoi në uljen e çmimit të derivateve në botë.
“Asnjë negociatë s’është mbajtur me SHBA-në”, ka thënë kryeparlamentari iranian Mohammad Bagher Qalibaf, nëpërmjet një publikimi në “X”. Ai ka shtuar se “lajmet e rreme po përdoren për të manipuluar tregjet financiare dhe të derivateve”.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ndërkaq ka thënë se Izraeli do të vazhdojë ta sulmojë Iranin dhe Libanin edhe pse SHBA-ja po mendon për armëpushim.
“Do të ketë edhe më shumë”, ka thënë ai.
Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, ka qenë duke biseduar për luftën këtë javë me homologët në Azerbajxhan, Egjipt, Oman, Pakistan, Rusi, Kore të Jugut, Turqi e Turkmenistan, sipas zyrës së tij.
Ndërkaq të martën, Irani ka sulmuar Iranin me raketa. Në Tel-Aviv, një raketë dyshohet se goditi në qendër të qytetit.
Si pasojë e luftës, nafta ka mbërritur në çmim prej më shumë 100 dollarësh për fuçi, duke shënuar rritje prej 40 për qind prej fillimit të luftës më 28 shkurt.


