Kritikët kundërshtojnë statutin dhe kryetarin e PD-së

schedule17:06 - 29 Prill, 2018

schedule 17:06 - 29 Prill, 2018

Mesazhin e tij për atë që ishte thelbi i nismës së ndryshimit të Partisë, bashkimin e gjithë kontributeve dhe vlerave, Lulzim Basha ia dedikoi kritikëve të lidershipit të tij, por edhe atyre që i sheh si sulmues personal.

“Gjatë muajve të fundit ka patur edhe akuza e sulme personale. Kam zgjedhur të mos u përgjigjem këtyre sulmeve, sepse si kryetar partie më takon mua të parit të të jem më i duruar dhe më i matur.

Une dua t’i shtrij dorën gjithsecilit që dëshiron të kontribuoje dhe të bashkohet me ne për t’i kthyer këtij vendi shpresën dhe besimin tek e nesërmja. Dora ime do të mbetet e shtrirë jo për pazare as për të bërë fotografi, por që se bashku të ndërtojmë rrugën tonë drejt suksesit, i bindur se është më e lehtë për të ndërtuar ura sa sa për të gërmuar hendeqe.

E vërteta është se Edi Rama nuk është sot në pushtet se Partia Demokratike nuk e luftoi apo nuk bëri atë që duhet. Është në pushtet nga ata që punojnë për të, nën maskën e opozitarit duke luftuar Partinë Demokratike”.

Nuk e mendon kështu ish-kryetari i partisë Eduard Selami i cili gabimin për atë që quan “krizën më të madhe në historinë e Partisë Demokratike”, nuk e sheh tek statuti, por tek mos-respektimi i tij.

“Ne sot jemi dy herë mëpak se PS sepse s’kemi operuar si Parti Demokratike dhe ende po nxitojmë. Ky statut që s’ka qene problemi yne po bëhet. Ky është statuti më i keq që ka PD. U premtua se janë anëtaret që do votojnë kush i përfaqeson në këshill bashkiak dhe deputet. Nuk është e shkruar. Kryetari do i zgjedhi. Unë them tërhiqe këtë statut. Mbaj premtimin. Hape PD. Bëj analizën e humbjeve ke tre humbje rresht”.

Mes brohoritjesh dhe fishkëllimash ia la vendin një tjetër zëri kritik, ish-kryetar i qarkut Kukës, Ibsen Elezi katapultimin në poste partiake e sheh si gangrenën e kësaj force politike.

Të ftuar me të drejtë fjale në mbledhjen e kuvendit Kombëtar, Jozefina Topalli dhe Astrit Patozi zgjodhën të mos vijnë por të komentojnë përmes rrjetit social facebook në përfundim të tij. Nuk ka kuorum – shkruan Topalli – Rrëzohet Lulzim Basha. Salla e Kongreseve ka rreth 2500 karrige, ndërsa Kuvendi 7000 delegatë duke pamundësuar votimin e statutit.

“Një ditë për t’u mbajtur mend, e konsideron ish-nënkryetari i partisë Astrit Patozi. “Dita kur historia e PD pritet me thikë”- shkruan ai duke e konsideruar këtë mbledhje si vendosjen përfundimtare të perdes së hekurt mes demokratëve. /abcnews.al