Kritika për Partizanin

schedule13:31 - 15 Janar, 2019

schedule 13:31 - 15 Janar, 2019

Ka kritika për Partizanin, pas dështimit për të përforcuar siç duhet ekipin në fazën dimërore. Kryeqytetasit nuk pranuan të merrnin sulmuesin Vasil Shkurtaj, ndërsa ende nuk kanë zgjidhje për sulmin.

Ky lojtar duhej të kishte qenë i tyri. Vasil Shkurtaj, sulmuesi më i mirë i fazës së parë të Superligës, ishte fare pranë Partizanit, por nuk u arrit të merrej, dhe kritikat për këtë nuk kanë munguar. Ledio Pano, një nga yjet e skuadrës së viteve 80-të, sot trajner, deklaroi në Sport Neës Plus, se ndodhi ajo që nuk duhej të ndodhte.

“Po vijnë lojtarë që ytrajneri nuk i ka kërkuar. Ata që i ka kërkuar nuk i kanë ardhur kështu që me këta lojhtarë nuk mund të dilet kampin. Kemi gjithë këto kohë që flasim se Partizanit i mungon një sulmues që do shënonte gola”, tha Pano.

Jo vetëm kaq, por djali i të famshmit Panajot Pano, ka edhe një kritikë tjetër.

“Prisja që Presidenti të besonte te Gega. Po bëhet e njëjta punë që është bërë gjithë këto vite që po vijnë lojtarë që nuk e di se kush i sjell, por që janë në kundërshtim me dëshirën e trajnerit. Në futboll trajneri është ai që jep ok dhe jep drejtimin”, tha ai.

Menaxheri Elton Marini, në intervistën për ABC Neës, deklaroi se Kukësi dhe Luftëtari kanë punuar më mirë sesa Partizani.

Partizani është paraqitur mjaft mirë në fazë përgatitore, ku luajti ndaj skuadrave të forta si Sivaspor, Antaliaspor dhe Dinamo Zagreb, veçse ekipi është thuajse ai që ishte në Dhjetor. Afrim i vërtetë mund të quhet vetëm mbrojtësi shqiptar nga Kosova, Lum Rexhepi, që mbërriti nga Finlanda, ndërsa mesfushori Duka ende nuk është provuar siç duhet.

Po ashtu, janë marrë dy lojtarë të rinj që nuk është se ndikojnë në planet e trajnerit. Problemi kryesor mbetet një sulmues, për të cilin këto ditë janë bërë përpjekje të shumta, por ende nuk ka rezultat.

Gjithashtu, trajneri Gega kërkon edhe një mbrojtës krahu. Gega është pranë rinovimit të kontratës, ndonëse besohet se nuk është plotësisht i kënaqur me klubin. Gjithsesi, Partizani është në krye të Superligës dhe tekniku beson se, pavarësisht nga gabimet, ky mund të jetë viti i duhur për titullin./abcnews.al