Krimi në Durrës/ Balla reagon nga Korça dhe apelon: Denonconi rastet e dhunës në familje

schedule11:46 - 23 Shkurt, 2024

schedule 11:46 - 23 Shkurt, 2024

KORÇË- Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, nga qyteti i Korçës ka folur për krimet në familje dhe për ngjarjen e fundit në Durrës. Ai ka apeluar tek qytetarët të bashkëpunojnë me Policinë e Shtetit në zbulimin dhe më pas ndëshkimin e agresorëve.

“Viti 2023 ka qenë një vit me ngjarje të rënda të krimit brenda familjes, dhe po ashtu një numër i rritur i dhunës në familje ka ardhur për shkakun se policia është munduar të identifikojë të gjitha rastet që kemi patur sinjalizime. Dua të komunikoj me ju faktin që tashmë kemi një protokoll tërësisht tjetër nga Policia e Shtetit lidhur me konstatimin më të parë të një shqetësimi apo një ankese sa i përket dhunës në familje. Kryesisht bëhet fjalë për dhunë me bazë gjinore, dhunë seksuale, dhe unë nxis çdo vajzë, çdo grua, nënë të këtij vendi që të denoncojë rastet e dhunës dhe dua ta garantoj që jo vetëm policia e shtetit për sa i përket pjesës që i takon, por edhe institucionet e tjera, ju e keni parë që kemi filluar një qasje të re për sa i përket pronave të sekuestruara nga krimi dhe korrupsioni. Do mundohemi që një pjesë e këtyre pronave ti vendosim në shërbim të organizatave joqeveritare, të cilat të kthehen në strehëza apo shtëpi për vajzat, gratë të dhunuara dhe kjo betejë nuk është një betejë që mund ta fitojë vetëm policia e shtetit”, tha Balla.

Ai garantoi qytetarët, se Policia e Shtetit do jetë aleati kryesor  në goditjen e fenomenit të dhunës në familje.

“Policia e shtetit është aty për të bërë ndërhyrjen e parë dhe për të vendosur para ligjit dhunuesit por kjo është diçka që unë mendoj se duhet ti bëjmë apel gjithë shoqërisë tonë, dhe lufta kundër dhunës seksuale, dhunës mbi bazë gjinore nuk është diçka që zhvillohet dy javë, kur mblidhen gjithë shoqatat e këtij vendi për të sensibilizuar, unë mendoj që kjo duhet të bëhet çdo ditë, dhe ju mediat keni një meritë të veçantë sikurse dhe përgjegjësi aq të madhe për të sensibilizuar dhe për ta bërë shoqërinë sa më të bashkuar kundër këtij fenomeni të papranueshëm. Kështu që në këtë aspekt, isha sot në një prej shkollave më me emër të Korçës, Raqi Qirinxhi, nga e cila kanë dalë një numër i madh personalitetesh, me një kontribut të shquar jo vetëm për Korçën por për të gjithë vendin, për të diskutuar me djem dhe vajza të kësaj shkolle edhe sa i përket paketës së sigurisë në shkolla, besoj se biem të gjithë dakord që kjo paketë po jep dita ditës efektet e mirëpritura nga komuniteti, nga publiku sa i përket garantimit që çdo vajzë, djalë, i Korçës që frekuenton këtë shkollë, apo shkolla të tjera, të jetë i garantuat sa i përket jo vetëm sigurisë së brendshme, por ne po punojmë edhe me institucionet e tjera për të garantuar sa më shumë siguri në komunitet. Kemi miratuar kësaj jave në mbledhjen e qeverisë, ligjin e ri për ndryshimin e ligjit për prefektin, për të ngritur këshillat vendorë të sigurisë publike përmes të cilave do të garantojmë një koordinim më të mirë të të gjitha institucioneve të sigurisë, agjencive ligjzbatuese dhe institucioneve të tjera dhe për më shumë një qasje proaktive në parandalimin e çdo ngjarje kriminale”, tha ai.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!