Gjykata për Krimet e Rënda dënoi me 121 vite burg në total, një grup kriminal të akuzuar për trafik të heroinës nga Turqia në Shqipëri. Grupi që dyshohet se kryesohej nga biznesmeni Jurgen Molla, akuzohet si i angazhuar në 4 episode trafiku, gjatë të cilave, policia ka bllokuar 20 kg heroinë.
Gjykata për Krimet e Rënda përfundoi gjykimin e nisur ndaj 9 personave të dyshuar si anëtarë të një grupi kriminal të trafikut të heroinës nga Turqia në Shqipëri. Ata u arrestuan nga operacioni “Ballkan” në korrik të vitit 2016 dhe dyshohet se kryesoheshin nga biznesmeni i ndërtimit, Jurgen Molla.
Në seancën e 30-të të procesit pesëshja gjykuese i shpalli fajtorë të pandehurit për akuzat e “trafikimit të narkotikëve” në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe “grupit të strukturuar kriminal”.
Masa më e madhe e dënimit ishte ajo për të pandehurin Jurgen Molla, 15 vite burg. Të bashkëpandehurit e tij, Shyqyri Kotorri, Anesti Koromani, Arif Çiço dhe turku Abubekir Tuncdemir u dënuan me nga 14 vite burg. Shtetasi tjetër turk Enver Kurtulus dhe i pandehuri Orgest Myftaraj u dënuan me nga 13 vjet, ndërsa Blerim Ukimeraj dhe Elmi Thaçi me nga 12 vjet. Procesi ndaj tyre u zhvillua me procedurën e gjykimit të shkurtuar dhe për këtë shkak të pandehurit përfituan uljen e një të tretës së këtyre dënimeve.
Sipas Prokurorisë për Krimet e Rënda të pandehurit e dosjes janë përfshirë në katër episode të trafikut të drogës në vitet 2015-2016, gjatë të cilave policia ka mundur të sekuestrojë gati 20 kg heroinë. Droga lëizte në linjën Turqi-Kosovë dhe Greqi-Shqipëri me destinacion vendet e Bashkimit Europian. Bazuar në provat e siguruara gjatë hetimit, mes të cilave edhe 198 CD me përgjime telefonike u ngritën dyshime se të pandehurit Jurgen Molla, Shyqyri Kotorri dhe Anesti Koromani kanë luajtur rolin e financuesve dhe organizatorëve të trafikut të drogës./abcnews.al
Vendimi i gjykatës:
Jurgen Molla 15 vjet (10 vjet)
Shyqyri Kotorri 14 vjet (9 vjet e 4 muaj)
Anesti Koromani 14 vjet (9 vjet e 4 muaj)
Arif Çiço 14 vjet (9 vjet e 4 muaj)
Bubekir Tuncdemir 14 vjet (9 vjet e 4 muaj)
Orgest Myftaraj 13 vjet (8 vjet e 8 muaj)
Enver Kurtulus 13 vjet (8 vjet e 8 muaj)
Blerim Ukimeraj 12 vjet (8 vjet)
Elmi Thaçi 12 vjet (8 vjet)