Policia në Durrës ka gjobitur një të ri i cili ka kryer manovra të rrezikshme me “Jet ski” pranë pushuesve në plazhin e Durrësit. Bëhet e ditur se i riu po lundronte në zonën e ndaluar dhe Policia Kufitare e Durrësit ka ndërhyrë duke bllokuar dhe shoqëruar në Port, mjetin lundrues, së bashku me drejtuesin e tij.
Gjatë kontrollit, siç njoftohet, u konstatua se drejtuesi, E. T., 25 vjeç, banues në Durrës, nuk kishte dokumente për mjetin lundrues. Policia Kufitare bllokoi mjetin lundrues dhe i vendosi të riut një gjobë prej 10.000 lekë të rinj.
Si rezultat i kontrolleve, njoftohet se nga Ksamili në Velipojë, janë verifikuar 31 mjete lundruese, kryesisht “Jet ski” dhe skafe, për dokumentacionin që duhet të kenë, si dhe për t’u bërë me dije sanksionet, drejtuesve të tyre, në rast shkeljeje të perimetrit të sigurisë së pushuesve. /abcnews.al/