Udhëheqësi i talebanëve të Afganistanit Hibatullah Akhundzada, ripërsëriti të martën thirrjen e tij për bisedime të drejtpërdrejta me Shtetet e Bashkuara, për t’i dhënë fund luftës.Në një mesazh urimi me rastin e festimeve që shënuan fundin e muajit të agjërimit, kreu i talebanëve e justifikoi sërish fushatën ushtarake të grupit të tij, duke përmendur praninë e “forcave të huaja pushtetuese” në vend, të udhëhequra nga SHBA.
“Nëse zyrtarët amerikanë me të vërtetë besojnë në një zgjidhje paqësore të situatës së ndërlikuar në Afganistan, atëherë ata duhet të paraqiten drejtpërdrejt në tryezën e negociatave, kështu që kjo tragjedi (duke iu referuar pushtimit), efektetet shkatërruese të së cilës dëmtojnë kryesisht popullin amerikan dhe afgan, të mund të zgjidhet përmes bisedimeve”, thuhej në një deklaratë të Hibatullah Akhundzadas, dërguar gazetarëve.
Shtetet e Bashkuara i kanë kundërshtuar tashmë thirrjet talebane për negociata të drejtpërdrejta dhe i ka bërë thirrje kryengritësve të bisedojnë me qeverinë afgane.
“SHBA-ja është e gatshme të marin pjesë në bisedime, por nuk mund të zëvendësojnë qeverinë dhe popullin afgan“, tha Lisa Curtis, një prej këshilltareve kryesore të Presidentit Donald Trump, gjatë një fjalimi në Uashington javën e kaluar.
Talebanët janë zotuar të ndalin sulmet ndaj forcave afgane të sigurisë gjatë kohës së Bajramit, ndonëse të martën në mesazhin e tij, udhëheqësi i grupit nuk iu referua armëpushimit të kufizuar.
Kryengritësit planifikojnë t’i japin fund armiqësive, me sa duket në përgjigje të pezullimit të njëanshëm një javor të operacioneve anti-talebane nga Presidenti afgan Ashraf Ghani në të gjithë vendin, kjo për t’i dhënë talebanëve mundësinë të rishikojnë fushatën e tyre të dhunshme dhe të kërkojnë një fund të negociuar për luftën. Armëpushimi i qeverisë hyri në fuqi të martën./Zëri i Amerikës