Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë ka reaguar për ngjarjet e ditëve të fundit në rrugët e Tiranës në protestën e të rinjve, ku është parë zjarr, shkatërrim të pronës publike dhe private.
Thirrja e këshillit Ndërfetar është për paqe dhe dialog kombëtar.
“KFNSH rikujton se e drejta për të protestuar paqësisht është një vlerë themelore demokratike, ndërsa dhuna, shkatërrimi i pronës dhe cenimi i të drejtave të të tjerëve nuk mund të justifikohen nga asnjë pakënaqësi apo qëllim”, thuhet në reagim.
Dëmtimi i një biznesi familjar prek drejtpërdrejt jetesën e një familjeje, vijon reagimi, duke përmendur edhe dëmtimin e godinave publike, si ministritë apo selitë diplomatike në Tiranë.
“Mendojmë se në këto momente, vendi ka nevojë për më pak akuza dhe më shumë dëgjim, për më pak përplasje dhe më shumë përgjegjësi, për më pak ndarje dhe më shumë dialog”, apeluan ata.
Thirrja e KNFSH-së, u shkon qytetarëve dhe institucioneve që të përgjigjen në mënyrë transparente dhe bazuar në ligj.
“Me përulësi i drejtohemi të gjitha palëve të zgjedhin dialogun mbi konfliktin dhe përgjegjësinë mbi përshkallëzimin, duke vendosur mbi çdo interes të ngushtë të mirën e përbashkët, sigurinë e qytetarëve dhe paqen shoqërore.”, pohuan krerët fetarë.
Protesta ka nisur ditën e martë, me thirrjen e studentëve për t’u mbledhur para Ministrisë së Arsimit por që u përshkallëzua shpejtë në akte dhune, që u shtrinë dhe në insitucione të tjera në kryeqytet.


