Kreditimi kap vlerën më të lartë në 4 vitet e fundit, 667 miliardë lekë

schedule15:00 - 6 Shkurt, 2022

schedule 15:00 - 6 Shkurt, 2022

Nga Erblina Mile

Ekonomia shqiptare ka përthithur më shumë kredi gjatë vitit 2021. Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në fund të vitit 2021 totali i kredisë arriti në vlerën 666.8 miliardë lekë niveli më  i lartë i regjistruar gjatë 4 viteve të fundit. Peshën kryesore të rritjes së kredive  në vend e mbajnë ndërmarrjet publike por edhe kredia për individë.

Segmenti i kredisë  për individë ka kapur vlerat prej 235 miliardë lekësh por vlen të theksohet se gjatë vitit 2021  ka   kredia e dhënë për qytetarët ka peshën më të lartë të regjistruar në kredinë totale të ekonomisë me rreth 35%.

Kjo situatë është ndikuar direkt prej kredive për blerje banesash. Bankat kanë favorizuar blerjen e  pasurive të paluajtshme  ndërkohë që ka pasur edhe një rritje të ndjeshme të apartamenteve sidomos në kryeqytet.

Nga të dhënat e Bankës së Shqipërisë konstatohet ndër të tjera se shuma e kredisë së re  gjatë vitit 2021 arriti në 264.6 miliardë lekë dhe nëse e krahasojmë me vitin 2020 rezulton se ka pasur një rritje  me rreth 8%.

Banka e Shqipërisë argumenton se në shtimin e kreditimit kanë ndikuar normat e interesit të kredisë për bizneset dhe individët që  kanë mbetur në nivele të ulëta por  edhe kursi i këmbimit të lekut ndaj valutave kryesore ka qenë i qëndrueshëm.

Kredia bankare i ka shërbyer financimit të konsumit e të investimeve dhe mbulimit të nevojave për likuiditet, si të bizneseve dhe të familjeve. Ndërkohë që kredia në lekë ka mbajtur ritme relativisht të larta rritjeje, duke pasqyruar efektivitetin e politikës monetare duke zbutur rreziqet e kursit të këmbimit në stabilitetin financiar. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!