Kredia e re në rënie vjetore me 6.3%

schedule07:32 - 30 Nëntor, 2020

schedule 07:32 - 30 Nëntor, 2020

Kreditimi i ekonomisë qëndroi në nivele të mira edhe për muajin tetor.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, kredia e dhënë nga sektori financiar kishte vlerën e 20.6 miliardë lekëve, në nivele të përafërta me shtatorin.

Krahasuar me tetorin e vitit të kaluar, kredia e re pësoi një rënie të lehtë me 5%. Për 10 mujorin 2020, kredia e re për ekonominë kishte vlerën e 187 miliardë lekëve, në rënie me 6.3% krahasuar me një vit më parë.

Deri tani, kreditimi i ekonomisë duket se është prekur në mënyrë të pjesshme nga pasojat e krizës ekonomike të lidhur me pandeminë.

Rënia e kredisë së re ka qenë më e fortë tek individët, me 10.5%, ndërsa për bizneset rënia është rreth 5.9%. Sidoqoftë, vlen të theksohet se rënia e kredisë për individë erdhi sidomos në periudhën e mbylljes së ekonomisë, ndërsa pas qershorit huadhënia në këtë segment i është rikthyer ritmeve normale.

Tek biznesi, ngërçi i muajve të mbylljes është kompensuar pjesërisht nga mbështetja me skemat e garancisë sovrane.

Sipas Bankës së Shqipërisë, deri në fund të shtatorit, kredia e mbuluar me garanci nga qeveria kishte vlerën e rreth 50 milionë eurove.

Megjithëse duket se kreditimi paraqitet i kënaqshëm për rrethanat që po kalon ekonomia, shifrat e kredisë së re mund të mos japin një ide plotësisht të saktë të flukseve reale të kredisë që injektohet në ekonomi. Kjo sepse një pjesë e konsiderueshme e kredisë janë rifinancime ose zhvendosje të kredive nga njëra bankë tjetra, për kushte më të favorshme.

Bankat që i blejnë këto kredi i raportojnë si disbursime të reja dhe në statistika ato llogariten si të tilla.

Në total, stoku i kredisë për ekonominë pësoi një rënie me rreth tre miliardë lekë në muajin tetor. Por, kjo erdhi kryesisht nga tkurrja me rreth katër miliardë lekë e stokut të kompanive publike.

Me sa duket, kjo ka ardhur si pasojë e mosrinovimit të një pjese të overdrafteve të maturuara të Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare. Edhe portofoli i kompanive private pësoi një rënie me 1 miliardë lekë.

Përfundimi i moratoriumit ka sjellë rifillimin gradual të pagesave dhe ky faktor tashmë ka nisur të ketë një ndikim në rritje në amortizimin e portofolit ekzistues. Por, pozitiv për tetorin është rritje e mëtejshme me dy miliardë lekë e stokut të kredisë për individët.

Sipas Bankës së Shqipërisë, në fund të tetorit portofoli kishte vlerën e 592 miliardë lekëve ose rreth 4.8 miliardë euro.

Me bazë vjetore, kredia vazhdon të qëndrojë në rritje, me rreth 4.7% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Kreditimi individëve dhe bizneseve private ka ritme rritjeje pranë nivelit të 6%, ndërsa rritja mesatare është ulur nga tkurrja me pothuajse 40% e portofolit të kompanive publike. /E.Shehu/monitor/