Sondazh

Lufta në Iran, a rrezikon të nisë Lufta III Botërore?

Loading ... Loading ...
 

Krahu i djathtë i Licëve i shpëton policisë/ Shkodër, Barush Bregu qëlloi me armë zjarri në ajër, në pranga 2 persona

schedule09:33 - 10 Mars, 2026

schedule 09:33 - 10 Mars, 2026

Policia e Shkodrës ka shpallur në kërkim 40-vjeçarin Barush Bregu, i cili qëlloi me armë në ajër, duke kanosur punonjës të policisë. Ngjarja ndodhi pasditen e së hënës në lagjen “Guerrile”.

Gjatë patrullimit në këtë zonë, shërbimet e Policisë i kanë bërë shenjë ndalimi, automjetit që nga hetimet rezultoi se e drejtonte 43-vjeçari Ervis Baba dhe kishte pasagjerë një të mitur dhe Barush Bregun.

Baba nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë, por ka vijuar lëvizjen, duke shtuar shpejtësinë dhe kryer manovra të rrezikshme me automjet. Për këto arsye, shërbimet e Policisë i janë vënë në ndjekje automjetit.



Gjatë ndjekjes, dyshohet se Bregu ka zbritur nga automjeti, dhe gjatë largimit, ka qëlluar me armë zjarri në ajër, me qëllim kanosjen e punonjësve të Policisë.

Arma e zjarrit me municion e dyshuar e përdorur nga 40-vjeçari, u gjet nga shërbimet e Policisë dhe u sekuestrua bashkë me automjetin tip “Volkswagen Seat” me të cilin leviznin këta shtetas.

Barush Bregu është një emër i njohur për drejtësinë. Ai rezulton i shpallur në kërkim nga policia si personi që ka ndihmuar Ragip Gilën në atentatin e 8 shtatorit të vitit të kaluar, në atë që njihet si masakra e Shkodrës ku dy persona u vranë dhe dy të tjerë u plagosën.

Sipas hetimeve të atëhershme, Barush Bregu dhe një 17-vjeçar u shpallën në kërkim pasi i siguruan autorit Rakip Gila kushtet dhe mjetet materiale për të kryer vrasje.

Po ashtu, banesën e një gruaje që jetonte jashtë vendit, Bregu dhe i mituri e përdornin si bazë për të fshehur armatimet.

39-vjeçari i njohur si krahu i djathtë i Licëve në Shkodër, emrin e ka të lidhur edhe me disa ngjarje të tjera të rënda.

Ai është arrestuar më parë në maj të 2019 pas një operacioni të organizuar nga RENEA, e po ashtu edhe në 2016 u dënua me akuzën e drogës dhe armëmbajtjes pa leje./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!