KQZ “zëvendëson” katër deputetë të LSI

schedule12:57 - 4 Mars, 2019

schedule 12:57 - 4 Mars, 2019

Aurora Mara, Ylli Shehu, Edmond Rrushi dhe Enver Roshi morën sot nga KQZ mandatin e deputetit nën siglën e LSI. Sipas listës shumëemërore të kësaj force politike në zgjedhjet e fundit, ata zunë vendet e 4 prej deputeteve të LSI, që dhanë dorëheqjen.

Pasi dorëzuan formularin e vetëdeklarimit pranë Komisionit Qendror të Zjgehdjeve, radhën e kishte votimi.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në unanimitet votoi mandatimin e 4 deputetëve të rinj të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Përkatësisht  Aurora Mara mori mandatin e lënë nga Përparim Spahiu, Enver Roshi atë të Edmond Haxhinastos, Ylli Shehu do të ulet në karrigen që zinte Floida Kërpaçi, ndërsa Edmond Rrushi zëvendëson Endrit Brahimllarin.

Kështu nga 59 deputetë të dorëhequr të opozitës, duket se numri i karrigeve boshe ulet në 55.

Burime pranë Partisë Socialiste bëjnë me dije se deputetët e sapo-mandatuar do të betohen në seancën parlamentare të së martës.

I vetmi nga katër deputetët e dalë nga lista e Lëvizjes Socialiste për Integrim  i cili në formularin e dekriminalizimit ka deklaruar një dënim të dhënë nga gjykata e rrethit gjyqësor tiranë 12 vjet më parë, është Ylli Shehu.  I dënuar për veprën penale të parashikuar nga neni 174 i Kodit Penal, për kontrabandë me mallra të tjera, vepër që dënohet me burgim deri në 5 vjet, Shehu ka përfituar nga gjykimi i shkurtuar duke marrë dënim me gjobë prej 200,000 lekësh të reja duke u shpallur i rehabilituar sipas nenit 69/a i Kodit Penal, pasi dy vjet pas dënimit nuk ka kryer vepër tjetër penale.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!