KQZ refuzon 13 Tetorin

schedule20:10 - 27 Qershor, 2019

schedule 20:10 - 27 Qershor, 2019

Komisionit Qendror i Zgjedhjeve tha sot pasdite se do të vijojë punën për 30 Qershorin, duke mos e njohur dekretin për datën 13 Tetor. 4 anëtarët e propozuar nga PS thanë se do t’i binden vendimit të Kolegjit Zgjedhor, dhe i vetmi që kërkoi të njihej dekreti i fundit i Metës, ishte kryetari Klement Zguri.

Këtë të enjte, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u mblodh për herë të tretë brenda ditës. Në tryezë kishte mbërritur dekreti i tretë i Presidentit Meta për zgjedhjet lokale.

“Jemi sinqerisht në situatë absurde. Ky dekret që më thoni është e detyrueshme, ky dekret ka dy orë që ka dalë. Kujt vendimi gjykate i vajti ky dhe u trajtua, dy orë që ka dalë”, tha kryetari i KQZ-së, Klement Zguri.

Por anëtarët e propozuar nga PS në KQZ, në bllok deklaruan mos njohjen e dekretit të fundit.

“Ditën që ky parlament do thotë që ky është Komisioni Qendror i shtyrjes së Zgjedhjeve përmes mosbërjes së zgjedhjeve dakord. Nga dita që ky quhet KQZ kemi detyrë funksionale të organizojmë, të bëjmë zgjedhje. Ka dalë një datë zgjedhjesh nga Kodi i përcaktuar në Kodin Zgjedhor, nëntë muaj përpara zgjedhjeve. Nga nëntë muaj e mbrapa, Presidenti nuk ka më asnjë lloj tagri. Janë shpërndarë të gjitha fletët e votimit në të gjitha KZAZ-të në të gjithë Shqipërinë. Çdo gjë është gati që ditën e diel të gjithë të shkojnë të votojnë”, tha Bledar Skënderi.

“Për të gjitha arsyet që na janë vleftësuar nga gjykata dhe sot kemi vetëm një detyrim, të zbatojmë një vendim gjyqësor, i cili është i formës së prerë”, tha Rezarta Bitri.

“Këto janë momente relativisht historike mbi një vend. Edhe njerëzit duhet të jenë seriozë në atë që thonë. Nëse nuk dinë se ç’thonë më mirë të heshtin. Gjithë kjo që po ndodh në Shqipëri është një përballje e madhe midis rregullit dhe pazarit”, tha Denar Biba.

“Që të jetë njëherë e mirë e qartë për zgjedhësit drejt 30 Qershori. Ky është vendimi dhe duhet të jetë rruga ligjore”, tha Edlira Jorgaqi.

Në këto kushte, Komisioni vijoi punët e fundit përgatitore për të mundësuar zgjedhje në 30 Qershor./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!