KQZ mblidhet sot për Rakipin e Rehovicën

schedule09:32 - 3 Janar, 2018

schedule 09:32 - 3 Janar, 2018

KQZ mblidhet sot në mesditë për të marrë në shqyrtim kërkesën e Prokurorisë për heqjen e mandatit të dy deputetëve Aqif Rakipi i PDIU dhe Gledion Rehovica i LSI, pasi rezultojnë në shkelje të ligjit të dekriminalizimit.
Organi i Akuzës ka argumentuar se nga verifikimi i shenjave të gishtave me databazën e Interpolit, dy deputetët rezutojnë se kanë qenë ndaluar në Itali për vjedhje.
Sipas Prokurorisë, rezulton se Aqif Rakipi është raportuar më datë 03.11.1998, për veprën penale të marrjes së mallrave të vjedhura, me gjeneralitetet Skënder Ejylbegaj. Ndërsa Gledion Rehovica është raportuar më datë 27.02.1999, për veprën penale “Vjedhje dyqani”, me gjeneralitetet Kusta Mina.
Asnjëri nga dy deputetët nuk i ka raportuar këto ngjarje në formularin e dekriminalizimit.
Në rendin e ditës së mbledhjes së sotme të KQZ janë edhe tre emra të tjerë, kryebashkiaku i Pogradecit, Eduard Kapri, që sipas prokurorisë ka rezultuar i pastër dhe dy ish-deputetët, Mhill Fufi e Omer Mamo, të cilët duke mos qenë më në funksion, nuk preken nga ligji i dekriminalizimit./abcnews.al