KQZ kthen pas për plotësim kërkesat ankimore të Bindjes Demokratike

schedule13:04 - 6 July, 2019

schedule13:04 - 6 July, 2019

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka lënë 24 orë afat partisë Bindja Demokratike të plotësojë kërkesat për anulimin dhe përsëritjen e zgjedhjeve të 30 Qershorit me arsyetimin se pretendimet e tyre nuk bazohen në fakte. Në mbledhjen e fundit, ky komision ka certifikuar zgjedhjen e kryebashkiakëve socialistë në Korçë dhe Kamzë.

Me këtë vendim, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kthen për plotësim ankimimin e partisë Bindja Demokratike për 41 bashkitë në vend. Sipas arsyetimit të katër anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nuk mund të kërkohet anulimi dhe përsëritja e zgjedhjeve të 30 Qershorit në 41 bashki të vendit me një kërkesë të pa plotësuar dhe të paplotësuar me fakte e indicia që vërtetojnë pretendimin e Bindjes Demokratike se ka pasur shtim fiktiv të numrit të përgjithshëm të votuesve, si dhe ndryshim të votave në tavolinat e numërimit në favor të Partisë Socialiste dhe të aleatëve të saj.

I vetmi që e argumentoi ndryshe është ai që votoi kundër Klement Zguri. Partisë Bindja Demokratike iu la afat 24 orë për të plotësuar kërkesat hapjen e kutive, anulimin dhe përsëritjen e zgjedhjeve në 41 bashki të vendit. Në këtë mbledhje Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpalli Rakip Sulin fitues të Bashkisë Kamëz dhe Sotiraq Filon për Bashkinë Korçë si dhe miratoi rezultatet për zgjedhjet ne këshillat e këtyre dy bashkive./ABC News Albania 24/7