KPK seancë dëgjimore me gjyqtaren e Apelit të Vlorës Brikena Ukperaj

schedule11:40 - 22 Qershor, 2018

schedule 11:40 - 22 Qershor, 2018

 

Gjyqtarja e Apelit Vlorë, Brikena Ukperaj (Lubonja) ishte gjyqtarja e radhës që  iu nënshtrua Vettingut. Sipas Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, gjyqtarja ishte e pastër në pasuri e figurë dhe e aftë profesionalisht. Për Ukperajn ishin depozituar në KPK 12 ankesa nga publiku. Mes tyre edhe për çështjen e falsifikimit të pronave në Karaburun.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit zhilloi të premten seancën dëgjimore për gjyqtaren Brikena Ukperaj (Lubonja). Gjyqtarja e Apelit Vlorë iu nënshtrua me përparësi kontrollit të trefishtë të Vettingut për shkak të kandidaturës për në Këshillin e Lartë Gjyqësor.

Në seancën që zgjati më pak se 20 minuta, Komisioni tha se nga raportet e përcjella në KPK dhe verifikimi i thelluar kishte rezultuar se Ukperaj ishte e pastër sa i përket pasurisë, e pastër në figurë e integritet, si edhe e aftë profesionalisht për të vijuar ushtrimin e detyrës. Si pasuri të gjyqtares së Apelit u listua 50 % e vlerës së një apartamenti me vlerë 44 mijë euro në Tiranë dhe 30 % e vlerës së një automjeti “Mercedes Benz” të blerë 7500 euro.

Brikena Ukperajt nuk ishte proceduar asnjeherë nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, por në KPK ishte depozituar një lumë denoncimesh nga publiku për të. Relatorja e trupit gjykues radhiti 12 denoncime në total, ku i fundit kishte mbërritur me e-mail një ditë para seancës dëgjimore.

“Nga verifikimet e kryera nga KPK, tha relatorja, rezultoi se në të gjitha rastet ankesat ishin për vendimarrje që mund të ankimohen në një shkallë më të lartë”.

Në përfundim gjyqtarja Ukperaj kërkoi konfirmim në detyrë, duke thënë se besonte tek procesi i Vettingut, se për profesionin e saj kishte lënë pas dore edhe familjen dhe se kishte qenë e përgjegjshme për çdo vendim që mbante firmën e saj.

Këto fjalë u dëgjuan edhe nga disa prej denoncuesve të saj, të pranishëm në seancë, pretendentë të dhjetëra hektarë tokë në Karaburun. Ata akuzuan Ukperajn për gjykim të padrejtë dhe shkelje ligjore. Vendimi përfundimtar për gjyqtaren Brikena Ukperaj do të shpallet në 25 Qershor 2018./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!