KPK “ngel” Rovena Gashin

schedule09:36 - 25 Korrik, 2018

schedule 09:36 - 25 Korrik, 2018

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkoi nga detyra prokuroren e pezulluar të Prokurorisë së Përgjithshme, Rovena Gashi. Prokurorja që refuzoi seancën dëgjimore, nuk u paraqit as në shpalljen e vendimit. Ndërkohë KPK konfirmoi në detyrë gjyqtarin e Gjykatës së Lartë, Ardian Dvorani dhe gjyqtarin e Tiranës, Astrit Faqolli.

Në një hark kohor prej 90 minutash Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shpalli tre vendime përfundimtare për anëtarë të sistemit që kaluan në filtrat e Vettingut.

Prokurorja e Prokurorisë së Përgjithshme, Rovena Gashi, mori një karton të kuq nga KPK. Anëtarja e Prokurorisë së Përgjithshme, aktualisht e pezulluar nga detyra me urdhër të kryeprokurores së Arta Marku, nuk ishte prezente në sallën e gjyqit.

Ajo refuzoi të paraqitej edhe në seancën dëgjimore të zhvilluar javën e kaluar, ku përmes një deklarate publika pretendoi se vendimi i KPK-ndaj saj ishte i paracaktuar. Në gjetjet e relatuara në atë seancë Komisioni, Gashi rezultonte problematike me justifikimin e pasurisë së saj.

Në një seancë të mëvonshme, një tjetër treshe gjykuese konfirmoi në sistem gjyqtarin e Gjykatës së Lartë, Ardian Dvorani.

“Mëkati” i vetëm i Dvoranit, i relatuar në sencën dëgjimore, ishte mosdeklarimi i llogarive bankare personale dhe të familjarëve në deklaratën e vitit 2017 për llogari të KPK, të cilat ishin deklaruar në vitet e kaluara. Vetë gjyqtari sqaroi se bëhej fjalë vetëm për një gabim gjatë depozitimit fizik të saj, ku mungonin 4 faqe.

Gjyqtari i cili qëndron në detyrë pavarësisht përfundimit të mandatit 9-vjeçar prej vitit 2014, në dalje përshëndeti vendimin e Shkallës së Parë të Vettingut dhe dha nje mesazh per koleget.

Të mërkurën, KPK konfirmoi në detyrë edhe kolegun e tij në Gjykatën e Tiranës, Astrit Faqolli. Ai u konsiderua i përshtatshëm për vijimin e detyrës. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!