KPK i konstaton probleme në pasuri, Qato: Nuk dija që do vinte kjo ditë

schedule17:57 - 14 Dhjetor, 2018

schedule 17:57 - 14 Dhjetor, 2018

Fatos Qato, gjyqtari i Gjykatës së Apelit Tiranë doli të premten para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Treshja gjykuese e Vettingut konstatoi një sërë problematikash në pasuritë e gjyqtarit. Vetë Qato pretendoi se çdo pasuri e tij ishte e ligjshme dhe kërkoi konfirmimin në detyrë.

“Para 20 vjetësh nuk e dija që do të vinte kjo ditë. Po ta dija do t’i kisha mbajtur të gjitha faturat”. Fatos Qato, gjyqtar në Apelin e Tiranës u shfajësua në këtë formë para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për mungesën e mandatit të pagesës së këstit të tretë të blerjes së një apartamenti prej tij në Tiranë në vitin 1997. Qato tha se nuk e kishte ruajtur mandat-pagesën, jo vetëm prej kohës së gjatë, por edhe për shkak se nuk ishte detyrim ligjor. Por gjyqtarët e Vettingut konstatuan mospërputhje të dokumenteve dhe pretendimeve të gjyqtarit dhe në lidhje me pagesën e këstit të katërt dhe të fundit të shumës 28 mijë USD për këtë apartament. Komisioni konstatoi mungesë të burimeve financiare për blerjen e apartamentit, por gjyqtari tha se ishte siguruar nga të ardhura të ligjshme dhe kursime, paçka se nuk kishte dokumentacion për vitet 1983-1993.

Hetimi i KPK-së për gjyqtarin e Apelit ishte bazuar vetën në kriterin e pasurisë. Komisioni vlerësoi të rregullt pasurinë banesë, që gjyqtarit dhe bashkëshortes i ishte dhuruar nga prindërit e kësaj të fundit. E rregullt u cilesua edhe një llogari bankare në shumën e 7 mijë eurove. Por sipas komisionit, gjyqtari kishte pamundësi financiare për të justifukuar blerjen e një automjeti 28.5 mijë euro në vitin 2012 me kontratë financimi leasing. Kjo për faktin se në të njëjtin vit rezultonte se kishte shlyer një tjetër automjet të blerë me herët, bashkëshortja e tij kishte blerë një tokë arë 108 mijë lekë në Pogradec, si edhe shpenzime për shkollimin e fëmijëve dhe për disa udhëtime private jashtë vendit. Problematike për komisioni u vërejt edhe një shumë prej 25 mijë euro për arredimin e banesës gjatë 5 viteve të fundit. Ndërsa vetë gjyqtari tha se kjo shumë ishte ivestuar ndër vite dhe se i vetmi ndryshim i bërë 5 vjeçarin e fundit ishte një kënd 5 mijë euro i dhuruar nga vjehrri dhe vjehrra.

“Për vitet 2005-2015 subjekti ka 8.3 milionë lekë shpenzime të pajustifikuara”, tha relatorja e trupit gjykues. Gjyqtari theksoi se nga viti 1990 deri në 1997 kishte jetuar në shtëpinë e prindërve të bashkëshortes së tij. “Nga viti 1983-2016 unë kam krijuar 45.6 milionë të ardhura, ndërsa kam pasuri vlerë totale pasurie kam më pak se një të tretën e kësaj shume. Çdo pasuri e imja është e ligjshme. Kërkoj konfirmim në detyrë”, tha gjyqtari. Vendimi përfundimtar për Qaton pritet të shpallet në 17 dhjetor./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!