Kotzias: BE të hapë negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë

schedule15:24 - 25 Qershor, 2018

schedule 15:24 - 25 Qershor, 2018

Ministri i Jashtëm i Greqisë i ka kërkuar vendeve anëtare të BE-së që të mbështesin hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë. Kotzias thotë ndër të tjera se ka shumë përparim në negociata për çështjet e hapura mes Athinës dhe Tiranës.

Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Kotzias, në një intervistë për median europiane “Euractiv”, ka folur gjerësisht për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë në BE dhe për negociatat për çështjet e hapura me vendin tonë. Shefi i diplomacisë së Athinës, kërkon nga Brukseli që të mbajë fjalën e dhënë.

Nikos Kotzias, ministër i Jashtëm i Greqisë: “Kam frikë se nëse një datë për anëtarësim nuk i jepet Maqedonisë së Veriut, të gjitha përpjekjet e bëra me sakrifica të mëdha nga të dy palët, do të vendoset në rrezik. Për më tepër, nëse një nga dy vendet fillon negociatat, dhe le të themi Shqipëria jo, kjo do të krijojë një gjendje destabiliteti në rajon. Nëse disa vende kishin problem me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, ata duhej t’i kishin njoftuar më përpara. Tani kemi raportin dhe propozimin e Komisionit për hapjen e negociatave. Tani kemi mbërritur në një pikë që duhet ta bëjmë. Europa duhet ta mbajë fjalën”.

Gjithashtu komenton edhe atë çfarë po negociohet mes Athinës dhe Tiranës. Kotzias hedh poshtë pretendimet e opozitës se çështja e Çamërisë është pjesë e negociatave. Ndërsa sa i përket Zonës Ekonomike Eskluzive, kryediplomati grek thotë se është bërë përparim i madh. Ndër të tjera kritikon ashpër opozitën helene.

Nikos Kotzias: “Ata thonë se ne po braktisim Epirin e Veriut. Nëse nuk e kanë kuptuar ende, me traktatet ndërkombëtare dhe Aktin Final të Helsinkit, Epiri i Veriut është pjesë e Shqipërisë dhe ne nuk kemi për qëllim të ndryshojmë kufijtë”.

Ndër të tjera, Kotzias shpreson në një bashkëpunim më të gjerë në Ballkanin Perëndimor dhe thotë se është e vetmja rrugë që do të çojë përpara këtë rajon./abcnews.al