Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale kanë njoftuar se është identifikuar një lokacion i ri i dyshuar në fshatin Jabukë, në Zubin-Potok, ku dyshohet se mund të ketë mbetje mortore.
Sipas një komunikate të përbashkët, zbulimi u bë të dielën gjatë veprimeve hetimore që po zhvillohen në terren në kuadër të hetimeve për krimet e luftës.
Prokuroria Speciale bëri të ditur se do t’i paraqesë Gjykatës Themelore në Prishtinë një kërkesë për lejimin e zhvarrimit dhe kryerjen e ekzaminimeve të nevojshme.
“Pas marrjes së autorizimeve përkatëse nga gjykata, Prokuroria Speciale, në koordinim me Policinë e Kosovës, Drejtorinë për Hetimin e Krimeve të Luftës dhe institucionet e tjera kompetente, do të ndërmarrë veprimet e nevojshme”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Ky zhvillim vjen vetëm pak ditë pasi, të martën, në lokalitetin Kalludër e Vogël u zbulua një varr masiv.
Autoritetet në Kosovë kanë theksuar se hetimet do të vijojnë në bashkëpunim me të gjitha institucionet përgjegjëse, me synim zbardhjen e plotë të rastit dhe identifikimin e mbetjeve mortore.


