Kosovë-Serbi sot takimi i radhës në Bruksel

schedule08:27 - 17 Shtator, 2020

schedule 08:27 - 17 Shtator, 2020

Përfaqësues të Kosovës dhe të Serbisë në vijim të dialogut këtë të enjte zhvillojnë takimin e radhës në Bruksel, me ndërmjetësimin e të dërguarit special të Bashkimit Evropian për dialogun Mirosllav Lajçak.

Lajçak ka bërë me dije se në këtë takim temë diskutimi do të jenë pretendimet financiare dhe aranzhimet për komunitetin joshumicë.

Sipas tij, kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç kanë rënë dakord që ekipi negociator të ndjekë këto tema.

Të dyja temat janë shumë komplekse, për këtë arsye do të diskutojmë për pretendimet financiare dhe aranzhimin për komunitetin jo shumicë në ditët në vijim”, është shprehur ai.

Por, takimi i sotëm në Bruksel ka ngjallë diskutime të ashpra në Kosovë.

Mundësia e riaktualizimit të Asociacionit të komunave serbe në dialogun me Serbinë po konsiderohet e rrezikshme nga presidenti, opozita dhe shoqëria civile.

Presidenti Hashim Thaçi kërkoi nga Kuvendi përmes rezolutës t’i ndalojë të negociojë për çështje të brendshme të Kosovës.

Diskutimi për asociacionin në Bruksel është fillim i instalimit të Republikës Serbe brenda Republikës së Kosovës. Ndërsa, diskutimi për pronat e Kosovës me Serbinë është në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, si dhe është cenim i sovranitetit të shtetit tonë. Kuvendi i Kosovës duhet urgjentisht ta trajtojë këtë hap të rrezikshëm të Qeverisë së Kosovës në dialogun e Brukselit. Po ashtu, urgjentisht duhet ta votojë edhe një rezolutë, me të cilën kryeministrit i ndalohet të negociojë për çështje të brendshme të Kosovës dhe për tema që rrezikojnë rendin e brendshëm shtetëror”, thuhet në komunikatën e presidencës.e.su./abcnews.al