Kosovë-Serbi, çfarë ndodh nëse ndonjë nga palët pengon dialogun? Stano për Abc: Jemi të fokusuar tek rezultatet, jo te dështimi

schedule19:12 - 25 Nëntor, 2022

schedule 19:12 - 25 Nëntor, 2022

Zëdhënësi i KE-së, Peter Stano në një intervistë ekskluzive për gazetaren e Abc, Erisa Zykaj, ka folur për referencën lidhur me marrëveshjen Serbi-Kosovë, ku thuhet se nëse ndonjë nga palët pengon dialogun atëherë ndërmjetësuesi i BE-së mund të përfundojë procesin.

I pyetur nga gazetarja Zykaj lidhur me këtë referencë, Stano tha se natyra e BE është të fokusohet tek rezultati dhe jo tek dështimi.

Ndërkohë konfirmoi për Abc se drejtuesi i lartë i BE ka ftuar në Bruksel për ndërmjetësimin e negociatave kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Intervista e plotë:

Zykaj: Për herë të parë në deklaratën e përfaqësuesit të lartë të BE-së, ka një referencë ku thuhet: “Në rast pengimi të dialogut nga secila palë, ndërmjetësuesi i BE-së mund të përfundojë procesin. Cilat janë pasojat konkrete për të dyja palët në rast se ndërmjetësuesi i BE-së do t’i duhej t’i jepte fund procesit? Si do të penalizoheshin palët?

Peter Stano, zëdhënës i KE-së: Natyra e Bashkimit Europian është të fokusohet te rezultatet, të fokusohet te suksesi dhe jo dështimi. Është e rëndësishme të cilësohet se çfarë mund të ndodhë në rast dështimi, por do ishte më mirë të mos spekullohej lidhur me mundësinë për të braktisur apo për t’i dhënë  fund procesit. Sidomos pas marrëveshjes së arritur këtë javë, ne kemi një momentum. Kjo marrëveshje hap vërtet rrugën drejt punës vendimtare për të ecur përpara me procesin e normalizimit midis Kosovës dhe Serbisë. Te kjo po fokusohemi dhe presim që të dyja palët të punojnë në këtë drejtim dhe të gjejnë zgjidhje europiane me një mënyrë europiane”.

Zykaj: A kemi një datë për takimin e nivelit të lartë ?

Peter Stano, zëdhënës i KE-së: Datat për takimi të niveli të lartë në Bruksel anonçohen pak para se të mbahet takimi, thjesht për çështje që llogjistike. Ne duhet të kemi çdo gjë në rregull, që do të thotë edhe konfirmimin e palëve, nëse ata mund të vijnë në një datë dhe orë të caktuar. Për ne nuk është e rëndësishme, që të spekulojmë me datat para kohe. Është e rëndësishme që t’i kemi ata në Bruksel, që të kemi konfirmimin e tyre për ardhjen në Bruksel në të njëjtën ditë dhe për të njëjtën axhendë, duke shpresuar që të ketë rezulate. Por përfaqësuesi i lartë i BE-së ka ftuar kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiç në ditët që vijnë. Shpresoj, që ata do të mund të vijnë, kështu që të mund të vazhdojmë në frymën pozitive që u arrit këtë javë dhe të shfrytëzojnë këtë momentum për të ecur përpara. Kjo nuk bëhet për Bashkimin Europian, por për interesat e qytetarëve të Kosovës dhe Serbisë, për fillimin e ndalimit të përshkallëzimit të situatës dhe përfitimin nga perspektiva europiane”.

Zykaj: Në deklaratën e përfaqësuesit të lartë thuhet se palët kanë rënë dakord për masat për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm dhe për t’u përqëndruar plotësisht në propozimin për normalizimin e marrëdhënieve si çështje urgjente. Le të ndalimi te paragrafi “çështje urgjente” A është ruajtur data për marrëveshjen finale në mars 2023 apo jo ?

Peter Stano, zëdhënës i KE-së: Kur flasim për urgjencë; dita e djeshme duket tashmë tepër vonë, sepse kjo situatë vazhdon më shumë se prej 10 vjetësh dhe kjo nuk është në interes të qytetarëve të Kosovës dhe Serbisë. Në vend që të përcaktojmë afate artificiale, ne po ndihmojmë palët, pasi janë palët që vendosin se kur do të jenë gati të arrijnë datën përfundimtare për arritën e marrëveshjes gjithëpërfshirëse lidhur me normalizimin e marrëdhënieve midis tyre dhe për të ecur përpara. Për të ecur përpara nga metoda e menaxhimit permanent të krizës te metoda e pajtimit. Nuk jemi ne që përcaktojmë afatet. Afatet janë krejtësisht në duart e palëve, në përfitimin e qytetarëve të tyre dhe Bashkimi Europian do bëjë çdo gjë që mundet që palët të gjejnë kompromisin. Por u takon palëve që të gjejnë kurajon për të arritur në kompromiset e nevojshme me frymën europiane”.

/Abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!