Kosovë- Presidenca përmes një komunikate ka thënë se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese konfirmon se presidentja Vjosa Osmani nuk ka bërë asnjë shkelje kushtetuese me dekretin për shpërndarjen e Kuvendit.
Presidentja ka ftuar Kuvendin që qysh nesër ta caktojë datën e seancës së re për zgjedhjen e presidentit të ri.
Vendimi thuhet se sqaron edhe procedurat për zgjedhjen e Presidentit të ri, duke specifikuar se afati 60-ditor për këtë proces duhet të përfundojë së paku 30 ditë para përfundimit të mandatit aktual.
Në reagim, gjithashtu thuhet se Gjykata në asnjë paragraf të aktgjykimit të saj, nuk ka konstatuar shkelje të Kushtetutës nga ana e Presidentes.
“Përkundrazi, ka konfirmuar se nuk është dekreti ai që e çon vendin në zgjedhje të reja, por është dështimi i Kuvendit për zgjedhjen e Presidentit të ri ai që e shkakton këtë proces të zgjedhjeve”, u tha në reagimin e Presidencës.
Presidenca thotë se ka shprehur të njëjtin qëndrim në komentet e dërguara në Gjykatën Kushtetuese, duke potencuar se “dekreti është thjesht formalizim i një situate ekzistuese dhe se nuk është dekreti, por është vetë dështimi i Kuvendit për zgjedhjen e Presidentit që e çon vendin në zgjedhje”.
Rrjedhimisht, duke qenë se rrethana e moskonstituimit të Kuvendit me kohë nuk ka qenë e paraparë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Presidenca thotë se Gjykata ka interpretuar një rrethanë përjashtuese që vlen për këtë rast specifik, duke sqaruar se “në të gjitha rastet e zgjedhjes së Presidentit në të ardhmen, përkatësisht procedura për zgjedhjen e Presidentit të ri, e cila nuk mund të zgjasë më shumë se 60 ditë, duhet të fillojë përpara dhe të përfundojë jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual”.
Presidentja thuhet se e mirëpret afatin 34-ditor të dhënë deputetëve të Kuvendit të Kosovës nga ana e gjykatës dhe u bëri atyre thirrje që “urgjentisht ta kryejnë këtë detyrim kushtetues”.
“Dhënia e këtij afati shtesë nga ana e gjykatës kushtetuese assesi nuk ka qenë në kompetencën e Presidentes së Republikës. Por është pikërisht dekreti i Presidentes që e ka hapur rrugën për këtë sqarim të rëndësishëm nga ana e gjykatës si autoritet i vetëm dhe përfundimtar për të interpretuar Kushtetutën”, u tha në reagimin e Presidencës.


