Komisioni Qendrore i Zgjedhjeve në Kosovë nuk ka ende një datë se kur mund të shpallet rezultati përfundimtar i zgjedhjeve të 6 tetorit. Numërimi i votave tashmë ka përfunduar, por pritet të shihet se si do të përfundojë beteja midis Vetëvendosjes dhe KQZ-së për numërimin e votave nga diaspora.
Zëdhënësi i KQZ-së në Kosovë, Valmir Elezi, tha të hënën se tashmë ka përfunduar numërimi i të gjitha votave të rregullta, atyre me postë, votave me kusht, votave nga diaspora, votave të personave me nevoja të veçanta, si dhe rinumërimi për disa vendvotime ku ishin vërejtur parregullsi.
Megjithatë, ai nuk jep edhe një datë se kur do të shpallet rezultati përfundimtar, raportoi Evropa e Lirë. Përmbyllja e procesit të zgjedhjeve të jashtëzakonshme, që nënkupton shpalljen e rezultatit përfundimtar dhe certifikimin e tij, varej nga vendimi i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, i cili refuzoi përsëri ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje për numërimin e rreth 5 mijë votave të ardhura nga diaspora në Kosovë jashtë afatit kohor ligjor, duke e konsideruar të pabazë.
Kjo ankesë fillimisht ishte dërguar në Panelin për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), por ishte kthyer si kërkesë e pabazë. Më pas Vetëvendosje kishte depozituar të njëjtën kërkesë edhe në Gjykatën Supreme, e cila vendosi pro ankesës së Vetëvendosjes dhe përmes një aktgjykimi e riktheu lëndën në PZAP.
Por paneli për ankesa dhe parashtresa, edhe kësaj radhe e refuzoi atë. Vetëvendosje pritet ta ankimojë vendimin në Gjykatën Supreme të Kosovës, brenda afatit ligjor prej 24 orëve dhe Gjykata Supreme duhet të vendosë lidhur me ankesën brenda afatit të 72 orëve.
Lidhur me rezultatin përfundimtar, edhe pas procesit të rinumërimit të 530 vendvotimeve, numërimit të votave nga diaspora, atyre nga Serbia dhe votave me kusht, nuk ka ndonjë ndryshim me rezultatin paraprak të prezantuar më 7 tetor.
Lëvizja Vetëvendosje mbetet subjekti që ka fituar zgjedhjet, e pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës dhe koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – Partia Socialdemokrate. Mbetet ende të shihet nëse përfundimisht koalicioni Nisma Socialdemokrate, Aleanca Kosova e Re dhe Partia e Drejtësisë e ka kaluar pragun zgjedhor prej 5 për qind apo jo./abcnews.al



