Deputeti i PDK-së, Mergim Lushtaku, ka deklaruar se pret që drejtësia të triumfojë dhe ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të lirohen dhe të shpallen të pafajshëm.
Lushtaku ka thënë se fitorja më e madhe, sipas tij, do të ishte që lufta e UÇK-së të cilësohej si e drejtë, duke e lidhur atë me luftën e Serbisë për, siç u shpreh ai, “zhdukjen e një populli të tërë”.
Ai ka theksuar se pas përfundimit të këtij procesi, fokusi duhet të jetë zhvillimi i shtetit të Kosovës.
Lushtaku ka kritikuar edhe qeverisjen e Albin Kurtit, duke thënë se, sipas tij, Kosova gjatë kësaj periudhe nuk ka bërë përparim dhe se proceset janë vështirësuar.
“Do të triumfojë drejtësia, presim lirimin e çlirimtarëve. Kur kanë qenë ish-krerët është folur për palikimën projekte të ndryshme, për mirëqenie, zhvillim ekonomik dhe çdo qytetar mund të bëjë krahasimin. Fitorja më e madhe është që ata të shpallen të pafajshëm dhe lufta të cilësohet e drejtë për luftën që Serbia ka bërë për zhdukjen e një populli të tërë.
Fitorja më e madhe është kjo dhe më pas zhvillimi i shtetit të Kosovës. Koha do ta tregojë kush ka bërë dhe kush nuk ka bërë mjaftueshëm, por ata përfaqësojnë sakrificën e popullit, luftën drejt një të ardhmeje më të sigurt dhe një popull që aspiron për liri dhe mirëqenie. Kosova nën udhëheqjen e Kurtit nuk ka bërë asgjë, madje e ka vështirësuar procesin.”

