Nga Linda Karadaku
Parlamenti I Kosovës ka 120 vende, nga të cilët 100 zgjidhen përmes sistemit proporcional me lista të hapura ndërsa 20 vende janë të rezervuara për pakicat. 30 përqind e kandidatëve duhet të jenë femra. Në vendet e rezervuara, 10 janë për serbët, 4 për romët, ashkalinjtë dhe egjiptasit, 3 për boshnjakët, 2 për turqit, dhe një vend për goranët. Sistemi proporcional zgjedhor dhe përfaqësimi I garantuar për pakicat përmes vendeve të rezervuara në parlament, bën që asnjë parti në Kosovë, nuk arrin të ketë shumicë parlamentare e vetme. Përveç kësaj, një numër ministrash dhe zëvendës ministrash mbeten të rezervuara për serbët dhe pakicat e tjera.
2001
Zgjedhjet e para parlamentare të pas-luftës në Kosovë u mbajtën në vitin 2001 ndërkohë që Kosova ndodhej nën administrim ndërkombëtar. Lidhja Demokratike e Kosovëss doli bindshëm e para, duke fituar 45.65% të votave, apo 47 vende në Kuvendin e Kosovës. Partia Demokratike e Kosovës e Hashim Thaçit doli e dyta me 25.70% të votave. Lideri historic Ibrahim Rugova u zgjodh president një vit më vonë në vitin 2002.
2004
Edhe në zgjedhjet e vitit 2004, LDK vazhdonte të ishte e pakontestueshme, duke marrë 45.42% të votave nën udhëheqjen e presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e Ramush Haradinajt doli e treta në zgjedhje dhe hyri në qeveri me LDK-në. Haradinaj u bë kryeministër, por ndenji vetëm 3 muaj në detyrë, pasi dha dorëheqjen nga akuzave nga Tribunali I Hagës. Koalicioni I partisë së tij me LDK-në shënoi herën e parë që një nga partitë e luftës bënte koalicion me LDK-në.
2007
Rugova ndërroi jetë në 2006 dhe që atëherë, LDK-ja nuk arriti më asnjëherë të merrte rezultatet zgjedhore të kohës së tij. Për më tepër, partia u përball me fraksione dhe në kuvendin zgjedhor të vitit 2006, delegatët e LDK-së përdorën edhe karriget si mjet lufte brenda sallës. Partia Demokratike e Kosovës po shihte më në fund dritë në fund të tunelit dhe fiton për herë të parë zgjedhjet e përgjithshme. Kreu I partisë Hashim Thaçi bëhet kryeministër.
2010
Presidenti Fatmir Sejdiu dha dorëheqjen në shtator 2010 i akuzuar për shkelje të kushtetutës sepse si president, vazhdonte ende të mbante postin e kreut të partisë, LDK. Lidhja Demokratike e Kosovës njoftoi se do të largohej nga koalicioni qeverisës në Tetor 2010 dhe kërkoi mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme brenda 45 ditëve. Pasi qeveria dështoi në votimin e mosbesimit në 2 nëntor 2010, zgjedhjet u caktuan për më 12 dhjetor 2010. Votimi ishte rezultat i partisë qeverisëse të Hashim Thaçit që mbështeste një votë mosbesimi për të shkuar në zgjedhje të parakohshme. Në një kongres partie në 7 nëntor, kryetari i Prishtinës Isa Mustafa u zgjodh udhëheqësi i ri i LDK-së, duke mundur Fatmir Sejdiun në detyrë me 235 kundrejt 125 votave. Zgjedhjet parlamentare u mbajtën më 12 dhjetor 2010 dhe ishin zgjedhjet e para pasi vendi shpalli pavarësinë.
Partia Demokratike e Kosovës e Hashim Thaçit fitoi shumicën dhe Thaci vetë u bë kryeministër i vendit. Vetëvendosje e Albin Kurtit mori pjesë në vitin 2010 për herë të parë në zgjedhje dhe fitoi 12 % të votave, duke u bërë kështu fuqia e tretë në Kuvendin e Kosovës.
2014
Zgjedhjet parlamentare u mbajtën në Kosovë më 8 qershor 2014. Më 7 maj, kuvendi u shpërnda dhe Presidentja Atifete Jahjaga konfirmoi datën e zgjedhjeve. Kryeministri Hashim Thaçi dhe PDK pritej të ishin të parët për të formuar qeverinë, pasi kishin fituar shumicën në parlament. Sidoqoftë, një koalicion opozitar i LDK, AAK dhe NISMA u përpoq të formonte një koalicion qeverisës, duke argumentuar se së bashku ata mund të formonin shumicën e vendeve në parlament. Kjo krizë kushtetuese u zvarrit për disa muaj, derisa PDK formoi një koalicion qeverisës me LDK. Sipas marrëveshjes, lideri i LDK-së Isa Mustafa do të bëhej Kryeministër, ndërsa Thaçi do të ishte Zëvendës Kryeministër dhe Ministër i Punëve të Jashtme. Betejat parlamentare vazhduan edhe pasi u formua qeveria. Vetëvendosje në opozitë vazhdoi betejën kundër Marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013 midis Kosovës dhe Serbisë duke thënë se asnjë seancë nuk do të mbahej derisa qeveria të hiqte dorë nga një marrëveshje me Serbinë që u jepte kompetenca ekzekutive serbëve në veri të Kosovës. Kjo betejë e Vetëvendosjes u shënjua si beteja kundër Zajednicës apo asociacionit të komunave me shumicë serbe. Seancat parlamentare u shënuan më shumë si seancat e gazit lotsjellës në parlament të hedhura nga deputetët e vetëvendosjes për muaj të tërë.
2017
Zgjedhjet e parakohshme u mbajtën më 11 qershor 2017. Zgjedhjet u shkaktuan nga një mocion mosbesimi ndaj qeverisë së kryeministrit Isa Mustafa në 10 maj 2017 me një votim prej 78 pro dhe 34 kundër. Mocioni ishte propozuar nga Nisma Social Demokratike pas asaj që i konsideronte dështime të qeverisë për të përmbushur premtimet e fushatës zgjedhore. Në zgjedhje, asnjë parti nuk mori vende të mjaftueshme në kuvend për të formuar qeverinë e vetme. Pas disa përpjekjeve të pasuksesshme për të zgjedhur kryetarin e kuvendit dhe kryeministrin, më 4 gusht Behgjet Pacolli njoftoi tërheqjen e AKR-së nga koalicioni me LDK-në dhe formimin e një pakti qeveritar me koalicionin PAN. Si rezultat, AKR-së iu premtuan disa ministri në qeverinë e re, duke përfshirë Ministrinë e Punëve të Jashtme. Më në fund, më 9 shtator u votua qeveria e re, dhe Ramush Haradinaj u zgjodh kryeministër i ri me 61 vota pro. Vetëvendosje dhe LDK dolën në opozitë. Emërimi i Haradinajt erdhi pas koalicionit midis AAK-së, PDK-së, NISMA për Kosovës dhe AKR-së që u quajt koalicioni PAN.
2019-2020
Pas dorëheqjen së Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit, për shkak të ftesës që mori nga Gjykata Speciale, presidenti Hashim Thaçi shpalli zgjedhje të parakohshme parlamentare të cilat u mbajtën më 6 tetor 2019. Partitë kryesore të opozitës morën më shumë vota, të udhëhequra nga Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK). Lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti u bë kryeministër, duke formuar një koalicion qeverisës me LDK në një platformë anti-korrupsion. Por marrëdhëniet midis Kurtit dhe LDK-së nuk dukej të shkonin mirë, dhe kësaj i shtohej edhe marrëdhënie me ngërçe me të dërguarit amerikanë në një kohë kur kishin rifilluar bisedimet me Serbinë. LDK paraqiti mocion mosbesimi në parlament ndaj qeverisë që kishte më pak se dy muaj në detyrë. Qeveria Kurti u rrëzua me një shumicë spektakolare, duke mos lënë hapësirë për diskutim. Por të njëjtin fat pati pak muaj më vonë edhe qeveria e përfaqësuesit të LDK-së, kryeministrit Avdullah Hoti, e cila u rrezua pas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese e cila vendosi se vota e deputetit të ashkalinjve Ethem Arifi kishte qenë e paligjshme. Në vitin 2020, Kosova pati një qeveri në detyrë të kryesuar nga Ramush Haradinaj në fillim të vitit, dhe më pas, Gjykata Kushtetuese e vendit rrëzoi dy qeveri të tjera, qeverinë e kryesuar nga Albin Kurti dhe qeverinë e kryesuar nga Avdullah Hoti. Vendi shkon përsëri në zgjedhje në vitin 2021./mv.abcnews.al