“Kosova është zemra e Serbisë”, protestë në kufi në mbështetje të serbëve të Kosovës

schedule14:14 - 18 Dhjetor, 2022

schedule 14:14 - 18 Dhjetor, 2022

Disa protestues kanë nisur të mblidhen të dielën afër pikëkalimit kufitar mes Kosovës dhe Serbisë, Jarinjë, – në anën e territorit serb – si shenjë mbështetjeje ndaj serbëve lokalë që kanë ngritur barrikada në veri të Kosovës.

Protestuesit janë dëgjuar duke bërtitur, “Kosova është zemra e Serbisë”.

Policia serbe e ka krijuar një kordon në afërsi të kufirit.

Thirrja për protestë është bërë nga grupet djathtiste, siç është “Patrulla Kombëtare”, si dhe është bërë thirrje që organizimit t’i bashkohen mbështetës të tjerë nga Serbia, Mali i Zi dhe Republika Sërpska e Bosnje-Hercegovinës.

Në mesin e tyre është edhe Damjan Knezheviq, kreu i grupit jozyrtar të ekstremit të djathtë “Patrulla Kombëtare” nga Serbia.

“Patrulla Kombëtare” njihet për veprimet e saj kundër emigrantëve, për glorifikimin e kriminelëve serbë të luftës dhe mbështetjen për Rusinë në luftën që zhvillon në Ukrainë.

Organizata është e lidhur me grupin e ekstremit të djathtë “Rusov” dhe grupin paraushtarak rus “Vagner”, të cilin e ka vizituar së fundi në Rusi.

Në disa pamje të publikuara në platformat online, protestuesit dëgjohen duke insistuar që t’i afrohen pikës kufitare, ku shihen trupa të misionit të NATO-s, KFOR./REL/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!