Kosova e Serbia gati marrëveshjen për energjinë, Arifaj: S’kemi arsye të besojmë se mund të cënojë integritetin e vendit

schedule18:26 - 17 Qershor, 2022

schedule 18:26 - 17 Qershor, 2022

Kosova dhe Serbia janë shumë pranë arritjes së marrëveshjes për zgjidhjen e çështjes së energjisë elektrike për serbët në veri të Kosovës. Këta të fundit që nga paslufta nuk paguajnë faturat e energjisë elektrike.

Në një lidhje direkte me emisionin “Ballkan” në ABC, analisti Ardian Arifaj, tha se bëhet fjalë për marrëveshjen që ka ekzistuar nga qeveritë e kaluara dhe se nuk do të ndryshohet asgjë.

Sipas tij, bëhet fjalë për një kompani të re të shpërndarjes së energjisë që do të operojë në Veri të Kosovës. Kjo do të jetë kompani e Kosovës që do të veprojë duke respektuar kornizat ligjore të vendit.

Pra, kompania do të shpërndajë energji elektrike dhe më pas do të mbledhë edhe faturat nga abonentët.

“Të presim se çfarë do të ndodhë të martën, çfarë do të dalë para opinionint. Veç asaj të shkuarës ka pasur edhe disa bisedime mes qeverisë, palëve serbe e ndërmjetësues ndërkombëtarë. Ka pasur shumë biseda prapa skenës, përmbajtja e të cilave nuk është bërë e ditur.”

Sipas analistit Arifaj nuk ka asnjë arsye që të mendohet se mund të bëhet fjalë për një marrëveshje që mund të cënojë integritetin e Kosovës.

Kujtojmë se çështja e energjisë elektrike për serbët e veriut të Kosovës është një nga temat e dialogut Kosovë-Serbi, që po zhvillohet në Bruksel me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, njëherësh edhe kryenegociator i Kosovës në bisedimet me Serbinë është shprehur se çështja do të rregullohet “duke respektuar marrëveshjen e arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në prill të vitit 2013”. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!