Korrupsioni, përballet Zoto me Labin

schedule19:09 - 15 Nëntor, 2017

schedule 19:09 - 15 Nëntor, 2017

Në një seancë të tensionuar në Gjykatën për Krimet e Rënda Artur Zoto, ish-drejtori i Burgjeve i akuzuar për “korrupsion”, u përball me ish-zv.drejtorin, Iliaz Labi. Nga tavolina e dëshmitarit Labi pranoi se kishte marrë 2 milionë lekë nga një biznesmen për llogari të një tenderi ushqimesh në burgje dhe ia kishte dorëzuar Artur Zotos në zyrë. Dëshmitari, bashkëpunëtor i drejtësisë, ftoi Zoton që ashtu si ai të mbante përgjegjësi për veprimin e kryer.

Deri në korrik të 2016-s Artur Zoto dhe Iliaz Labi kishin marrëdhënie varësie në kupolën e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Zoto ishte drejtor i përgjithshëm, ndërsa Labi zëvendës i tij. Të mërkurën ata u përballën në sallën numër tre të Gjykatës për Krimet e Rënda, në dy anë të ndryshme të hekurave, Zoto si i pandehur për “korrupsion” dhe Labi si dëshmitari kryesor i Prokurorisë kundër tij.
Në gati 1 orë e 20 minuta ish-zv.drejtori i Burgjeve Iliaz Labi dëshmoi fakte tronditëse mbi një aferë korruptive prej 2 milionë lekë të rinj tek burgjet, para të cilat pretendonte t’i kishte pasur në duar.
Në përgjigje të pyetjeve të prokurores, Labi tha se ishte porositur nga Zoto për të takuar disa biznesmenë në lidhje me një procedurë tenderimi për blerje bulmeti dhe vezësh.

“Më tha që do t’i marrësh 20 për qind të shumës. Takova fillimisht Ylber Kalanë. Më tha që ‘ai e ka çikë hapin e madh’. Më pas kam folur me të për marrjen e parave, por më adresoi tek Shemsi Sinani. E takova pas disa ditësh tek një lokal tek blloku. Aty më ka dhënë paratë, 2 milionë të reja”.

Labi sqaroi se ishte vetëm korrieri dhe se biseda ishte mbyllur nga drejtori Zoto.

“Lekët ia çova Artur Zotos në zyrë. Do përfitoja edhe unë, por ai nuk më dha. Nuk kam marrë asnjë lek. Më tha që kishte disa detyrime. Paratë ishin në prerje 5 mijë lekëshe dhe kishin shiritat e bankës”.

Sipas ish-numrit 2 të burgjeve, në atë peridhë ish-drejtori Zoto ishte në dijeni se po përgjohej, ndaj takimet mes tyre zhvilloheshin në zyrë. Dëshmitari, bashkëpunëtor i drejtësisë në këtë proces, hodhi dyshime se Zoto kishte manipuluar filmimet e kamerave të sigurisë në Drejtorinë e Burgjeve. Ai tha se kamerat herë punonin e herë jo.

“I ndërroje serverat si të doshte qefi ty. Lere këtu më mirë, mos vazhdoj”.

Në sallë u shtua tensioni gjatë pyetjeve të avokatit dhe vetë të pandehurit Zoto.

“Më vjen turp për gabimin që kam bërë, por nuk kam turp ta pranoj. E kam bërë dhe kam ardhur t’i dal për zot”.

Më tej ai iu drejtua të pandehurit duke i thënë:

“Mbaje përsipër atë që ke bërë o burrë i dheut. Mos bëj kështu!”.

Situata u nxeh kur Zoto pyeti dëshmitarin nëse i kishte dhënë para apo jo.

“Ti nuk doje njeri. I doje të gjitha për vete. E di gjithë republika këtë. Ç’më fshihesh pas gishtit!”.

Deklarata solli reagimin e një prej familjarëve të Zotos në sallën e gjyqit që i tha dëshmitarit “Pse e trash zërin!”. “Cfarë the ti”, iu kthye dëshmitari, ndërsa u nevojit ndërhyrja e gjykatës për qetësoimin e situatës.
Iliaz Labi është i pandehur në një proces të veçuar tek Krimet e Rënda për akuzën e “korrupsionit” në lidhje me procedurën e tenderimit të ushqimeve të të burgosurve./abcnews.al

 

https://youtu.be/e7FedjeaSvs