Forcimi i masave për Koronavirusin ka mbledhur Task-Forcën e Shëndetësisë në Aeroportin e Rinasit.
Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manstirliu gjatë komunikimit me median ka deklaruar se në Shqipëri nuk ka asnjë person të infektuar me koronavirus.
Ministrja gjithashtu i ka bërë thirrje medias që të shmangin çdo deziformim për rastin. Sipas saj njerëzit duhet të informohen vetem nga informacionet zyrtare që jep ministria dhe ISSH-ja.
“Është e rëndësishme që në këto momente ashtu siç dimë të trajtojmë çdo ngjarje dhe kjo ngjarje që është e pazakonte nga pikëpamja e përballjes me virus të tillë na bën të jemi të përgjegjshëm dhe me transparencë maksimale me publikun.
Komunikimin me publikun e kemi thelbësor për të shmangur çdo dezinformim, dua ta theksoj se edhe dje kanë qarkulluar mesazhe që kanë nxitur panik, nuk është koha për të nxitur panikun është koha të dëgjojmë mendimin e ekspertëve, kemi ekspertët më të mirë të strukturave tona të cilët po ndjekin hap pas hapi planin nga Task forca.
Dua t’ju ftoj si media, për të patur bashkëpunëtor ashtu si edhe qytetarët të jenë bashkëpunëtorë për këtë situatë që nuk kërkon panik por racionalitet. Jemi përballur dje me lajme të rreme, të cilat menjëherë i kemi informuar nëpërmjet ministrisë së shëndetësisë për mos vërtetësinë e tyre, dua t’ju falënderoj ju gazetarët që keni përcjellë informacionet zyrtare të ministrisë së shëndetësisë.
Dua të them edhe njëherë se është shumë i rëndësishëm bashkëpunimi për çdo informacion.
Ne do të jemi të hapur, transparentë për të administruar këtë ngjarje siç kemi përballuar edhe ngjarje të tjera siç ishte tërmeti. Dua të theksoj se Shqipëria nuk ka deri më tani asnjë rast të konfirmuar për Koronavirus.
Ju kemi komunikuar se rastet e dyshuara janë analizuar nga instituti i shëndetit publik dhe kanë rezultuar negativ.
Kemi dyfishuar masat në qarkullimin kufitar. Jemi në aeroportin e Rinas-it, në portet e Sarandës, Vlorës e Durrësit gjithashtu edhe në pikat e kalimit tokësor. Kemi monitoruar më shumë se 4500 pasagjerë të cilët kanë ardhur.
Vlerësimi është bërë sipas parametrave dhe udhëzimit të Organizatës botërore të shëndetësisë. Jemi duke ndjekur hap pas hapi situatën.
Paralelisht vazhdon edhe trajnimi i personelit shëndetësor për vendosjen e gjendjes së gatishmërisë dhe për ndjekjen me rigorozitet për protokollet e ndjekura në rast të virusit vdekjeprurës.
Kam firmosur urdhrin për masat e shtuara hijeno sanitare në strukturat sanitare të çerdheve shkollave universiteteve dhe të tjera masa që ndikojnë drejtpërdrejtë në shëndetin e popullatës.
Pika e parë e shpëtimit është të dëgjuarit të ekspertëve të fushës”, deklaroi Manastirliu./abcnews.al