Koronavirusi nuk ndalon takimet në burgje, kontrolle për 5 mijë të dënuar në të gjithë vendin

schedule18:29 - 9 Mars, 2020

schedule 18:29 - 9 Mars, 2020

Mbërritja e koronavirusit në vendin tonë ka bërë që edhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve të zhvillojë një mbledhje urgjente për masat e nevojshme që do të merren në të gjitha burgjet e vendit.

Burime zyrtare pranë këtij institucioni pohuan për “ABC News” se në përfundim të takimit u vendos që të mos pezullohen takimet mes familjarëve dhe të burgosurve.

Por, Drejtoria e Burgjeve njofton se janë marrë të gjitha masat e nevojshme, si dhe po përgatiten ambjentet në gjitha burgjet, së bashku me ekipet mjekësore, të cilët do të zhvillojnë kontrolle tek të gjithë të burgosurit, edhe pse nuk ka ende një rast konkret me koronavirus.

Kontrolle do të kryhen edhe tek familjarët që do kryejnë takimet me të burgosurit.

Burime pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve bëjnë me dije se numri i të burgosurve në të gjithë vendin është mbi 5 mijë, rreth 2 mijë e 200 e të cilëve mbahen në paraburgim, ndërsa pjesa tjetër janë të dënuar me vendim të formës së prerë.

Çdo i burgosur dhe i paraburgosur mund të kryejë 1 takim në javë me familjarët./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!