Kur u ulën për herë të parë në tryezën politike të reformës zgjedhore në 14 janar të viti, palët u zotuan se brenda 15 marsit do të arrinin mes tyre dakordësinë për një kod të ri zgjedhor. Pas 2 muajsh takimesh të njëpasnjëshme, palët ishin gati për tu vendosur në pozicionet e tyre dhe për të vlerësuar se cilat do të ishin çështjet që do të pranonin nga propozimet e mbërritura në tryezë.
Mbledhjen e tyre të fundit, tryeza politike e reformës zgjedhore e mbajti të hënën e 9 marsit, vetëm pak orë pasi në Shqipëri ishin konfirmuar dy rastet e para me koronavirus.
Pavarësisht zotimit fillestar edhe vetë reforma zgjedhore do të izolohet për aq kohë sa edhe vetë të mandatuarit politik nuk do ushtrojnë aktivitetin e tyre normalisht. Si pasojë e situatës së krijuar me përhahpjen e virusit, Kuvendi i Shqipërisë dhe komisionet parlamentare kanë pezulluar veprimtarinë e tyre deri në normalizim të situatës. Aktualisht Partia Demokratike ka depozituar 6 drafte në tryezën e reformës ndërkohë që socialistët kanë mbështetur draftin e propozuar nga ekspertët e Kuvendit.
Me kërkesë të ndërkombëtarëve, palëve i është kërkuar të mos largohen nga tryeza e reformës zgjedhore pa një draft konsensual./abcnews.al