Koronavirus / Tani ka më shumë të infektuar në gjithë botën sesa në Kinë

schedule08:55 - 16 Mars, 2020

schedule 08:55 - 16 Mars, 2020

Organizata Botërore e Shëndetit raportoi të paktën 153.648 raste në gjithë botën. Ndërkohë, sipas përllogaritjeve të  Johns Hopkins University realizuar me shifrat e OBSH dhe burimeve të tjera, në gjithë botën janë të infektuar rreth 167 mijë njerëz dhe 6.400 kanë humbur jetën.

Më shumë raste jashtë Kinës sesa brenda: Të dielën mbrëma, Kina raportoi 16 raste të reja dhe 14 të vdekur. Raste totale në Kinë janë regjistruar 80.860. Tani ka më shumë të infektuar në botë sesa në Kinë.

Rriten shifrat në Itali: Të dielën, Italia llogariti 368 të vdekur në vetëm 24 orë, duke e çuar numrin total të të vdekurve në 1809. Në Itali janë infektuar 24.747, ku 3590 prej tyre u diagnostikuan vetëm 24 orët e fundit.

Masat e Shteteve të Bashkuara: Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve rekomandoi anullimin ose shtyrjen e eventeve që grumbullojnë më shumë se 50 njerëz për të paktën tetë javë. Në Sh.B.A. janë diagnostikuar të paktën 3400 njerëz. 29 shtete kanë mbyllur shkolla dhe shtete të tjera po mbyllin restorantet dhe baret.

Ndalimi i udhëtimit: Gjithnjë e më shumë shtete po mbyllin kufijtë për të parandaluar përhapjen. Libani do të jetë në shtetrrethim për dy javë pasi ka mbyllur aeroportet, kufijtë dhe portet. Njerëzit janë të detyruar të qëndrojnë në shtëpi. Mbretëria e Bashkuar ka diskurajuar udhëtimin drejt Sh.B.A.-ve. Iraku po limiton lëvizjen në Bagdat për të paktën një javë; Kolumbia do të bllokojë hyrjen e jo-shtetasve dhe ata që hyjnë, duhet të izolohen për 14 ditë; Gjermania po limiton lëvizjen drejt dhe nga Franca, Austria, Zvicra dhe Luksemburgu; Meksika u kërkoi qytetarëve të mos udhëtojnë nëse s’është e nevojshme dhe Republika Çeke mbylli administratën.

Masat në Azi: Singapori urdhëroi karantinimin 14-ditor të vizitorëve nga shtetet e Azisë Lindore, Zvicra dhe Mbretëria e Bashkuar. Hong Kong po i nxit qytetarët të mos udhëtojnë drejt Irlandës, Sh.B.A.-ve dhe Mbretërisë së Bashkuar. Filipinet kanë pezulluar transportin tokësor, ujor dhe ajror në zonën e Metro Manila duke pakësuar kështu numrin e njerëzve që hyjnë në shtet. Gjithashtu kanë mbyllur shkollat dhe kanë ndaluar grumbullimet masive./abcnews.al