Korea e Veriut e ka konsideruar si një akt lufte vendimin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për sanksione ndaj Penianit, si pasojë e testeve të raketave bërthamore. Në një reagim zyrtar thuhet se vendet që kanë votuar pro kësaj rezolute do të përballen me pasoja.
Sanksioneve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për testet bërthamore, Korea e Veriut i është kundërpërgjigjur me një sfide, duke thënë se do të përforcojë fuqinë e saj bërthamore. Në një reagim zyrtar thuhet se shtetet që kanë votuar pro këtyre sanksioneve do të përballen me pasoja dhe do të jenë përgjegjës për atë që do të ndodhë. Regjimi i penianit nëpërmjet agjencisë shtetërore të lajmeve deklaron se është një akt lufte dhe një sulm i dhunshmë ndaj sovranitetit. Një vendim që do të shkatërrojë paqen dhe stabilitetin në rajon.
Në qendër të kërcënimeve koreanoveriore mbeten Shtetet e Bashkuara të Amerikës që sipas Penianit janë të terrorizuara pasi vendi është kompletuar me forcë bërthamore.
Masat e miratuara të premten nga Këshilli i Sigurisë së Kombeve të Bashkuara janë shumë të ashpra duke goditur kryesisht importin e naftës, shumë i rëndësishëm për programin raketor dhe bërthamor të regjimit të Penianit. Gjithashtu puntorët koreanoveriorë do të pezullohen nga vendet e punës në shtetet ku janë punësuar duke prerë në këtë mënyrë të ardhurat financiare për familjet e tyre që ndodhen në Korenë e Veriut. Ndër të tjera do të ashpërsohen kontrollet në anijet tregtare që nisen apo shkojnë në Korenë e Veriut. Por Këshilli i Sigurisë ka refuzuar kërkesën e administratës Trump për një bllokim të plotë të anijeve koreanoveriore nga ujërat ndërkombëtare.
Në mbështetje të sanksioneve votuan dhe Kina e Rusia duke hequr dorë nga e drejta e vetos./abcnews.al