Korçë/ Vdekja e Enea Ftoit, familjarët prova të reja në Prokurori

schedule20:53 - 19 Nëntor, 2018

schedule 20:53 - 19 Nëntor, 2018

Vdekja e 27 vjeçarit Enea Ftoi që humbi jetën në komisariatin e Korçës ende është nën hetim. Por familjarët e Ftoit kanë dorëzuar në Prokurori një CD me pamje filmike ku duken qartë shenjat e dhunës në trupin e të riut.

Në një kohë kur hetimet për vdekjen e Enea Ftoi në ambjentet e Komisariatit të Korçës po shkojnë drejt fundit, familjarët e 27 vjeçarit kanë depozituar prova të reja në Prokurori. Organi i akuzës, ka administruar si provë materiale, duke e bërë pjesë të fshikullit hetimor një CD me pamje filmike, ku familjarët pretendojnë se duken qartë shenjat e dhunës në trupin e të riut.

Tomorr Ftoi, babai i viktimës: “Me video më të tëra, unë i kam origjinale. Nuk kanë si të gënjejnë ato.”

Familjarët e Enea Ftoit nuk pranojnë konkluzionet e ekspertizës mjeko-ligjore, duke akuzuar për dhunë disa efektivë të Komisariatit.

“Janë 7-8 polica ata që i kanë dhënë dhunë djalit. Janë edhe shoferat e tyre që ishin në turn. Unë kur vajta, më mashtruan.“

Mimoza Ftoi, e ëma: “Si bëhej gjyqi kur ne dëgjuam emrin dhe hymë brenda. U futëm brenda, gjyqi në atë kohë mbaroi, ka vdekur na thanë. S’dinim ku të shkonim. Janë shkelje këto, shkelja e policisë që na gënjeu. Shkelja e dytë është që prokuroria po e zhvillonte pa dijeninë e familjes.”

Prokuroria ende nuk ka vendosur në lidhje me këtë kërkesë, ndërsa nuk dihet se sa do ndikojnë provat e reja të familjarëve në ecurinë e çështjes, hetimi i së cilës vijon prej 7 muajsh. Prokuroria e Korçës ka vënë nën akuzën e mosdhënies së ndihmës, tre efektivë të Komisariatit të Korçës, ndërsa familjarët prej disa muajsh bëjnë përgjegjëse policinë për vdekjen e 27 vjeçarit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!