Universiteti i Korçës autonom/ Dështon përpjekja për t’u bashkuar me Universitetin e Tiranës

schedule13:09 - 8 Korrik, 2023

schedule 13:09 - 8 Korrik, 2023

KORÇË – Universiteti i Korçës do të vazhdojë të jetë autonom dhe do të përfshihet në një reformë të thellë profilizimi dhe ndërkombëtarizimi.

Kundershtimet e pjesës më të madhe të trupës akademike për t’u bashkuar me Universitetin e Tiranës,vendim që u mor nga Senati Akademik disa ditë më parë, kanë sjellë sot në Korçë ministren e Arsimit Evis Kushi. Pas takimit me pedagoget ministrja e Arsimit pohoi se trupa akademike, por edhe drejtuesit ranë dakord që Universiteti i Korçës të mos bashkohet me atë të Tiranës por të qëndrojë autonom.

“Universiteti i Korccës do të vazhdojë por do të rritet më tepër. Potencialet janë aty, ka studentë dhe staf i mrekullueshëm, si edhe kapacitete. Korça ka traditë në arsim, pra do të ketë zhvillim më tej. Ka patur propozime të ndryshme, jo vendime, e rendësishme është që ti diskutojmë ashtu si bëmë sot. Dhe vendosëm që rruga është ndërkombëtarizimi dhe profilizimi i universitetit.”

Rektori i Universitetit të Korçës, u tërhoq nga vendimi për t’u bashkuar me UT duke e konsideruar vendimin e senatit një propozim alternativ.

“Ishim përballë alternativave, nëse ka të tjera më të mira ne jemi dakord. Do ndjekim hapat në vazhdim, duhen ndërrmarrë reforma dhe e ardhmja do jetë më e mirë.”

Deputeti i Korçës Niko Peleshi e konsideroi të pamatur dhe të nxituar vendimin për bashkimin me UT, duke inkurajuar vazhdimësinë e këtij insitucioni si autonom.

“Disa gjëra që lidhen me identitetin nuk cënohen. Korça s’mund të bëjë pakt me universitetin, s’bëhet fjalë për mbijetesë, por do të bëhet një nga institucionet më të mira në Shqipëri.”

Disa prej degëve të universitetit “Fan Noli” janë pjesë e programeve që përbëjnë prioritet kombëtar dhe studentët do të paguhen me vlerën e pagës minimale deri në përfundim të studimeve.