Korçë, një muze për fotografin e njohur Gjon Mili

schedule14:29 - 23 Dhjetor, 2018

schedule 14:29 - 23 Dhjetor, 2018

Nga sot në qytetin e Korçës do të ketë një muze për fotografin e njohur Gjon Mili. Në ceremoninë e rastit u ekspozuan 240 foto.

Fotografi i përbotshëm Gjon Mili, do të ketë një muze, në vendlindjen e tij. Perla arkitekturore e Korçës, që të gjithë e njohin si “shtëpia rumune” në zemër të qytetit, do të jetë tani e tutje shtëpia e artistit, që pavarësisht famës dhe suksesit, mbeti korçari, që mburrej me origjinën e tij. Për kreun e Bashkisë, muzeu i Milit, pasuron zinxhirin e trashëgimisë kulturore të qytetit dhe vjen si atraksion i rrallë për vizitorët, që përpos të tjerash, plotësojnë në Korçë edhe shijet artistike.

Sotiraq Filo: “Muzeu është i veçantë unë kam patur fatin ta ndjek ecurinë e punimve, jo vetëm për setin e fotove të shkrepura prej tij dhe koleksionin e fotove dhe objekteve që i takojnë Gjon Milit dhe familjes së tij, por edhe për disa detaje që vizitorët do t’i shohin”.

Në ambjentet e muzeut, është ekspozuar fondi prej 240 fotosh të shkrepura nga Mili, por edhe ekspozitore me detaje nga jeta dhe aktiviteti i tij dinamik dhe i shumëllojshëm, sa i përket tematikës dhe teknikës së realizimit. Në qytetin që ka sot numrin më të madh të muzeve, ky i Gjon Milit, për Ministren e Kultures Mirela Kumbaro, vjen si aset i çmuar i kurorës së trashëgimisë kulturore dhe shpirtërore.

Mirela Kumbaro: “Trashëgimia kulturore nuk është vetëm gur e mur, por edhe shpirt dhe art i fotografisë, që na vjen si një aset i jashtëzakonshëm”.

Në dy prej hapësirave interaktive të muzeut, kuriozët e fotografisë mund të eksplorojnë lojën e dritës, për të njohur edhe dimensionin tjetër të Milit, si shkencëtar, duke marrë me vete edhe një shkrepje, si kujtim të njohjes me artistin, që jetësoi në celuloid, më të mëdhenjtë e politikës dhe artit botëror. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!