Korçë, i riu i arrestuar për vjedhje vdes në dhomat e paraburgimit

schedule11:35 - 17 Maj, 2018

schedule 11:35 - 17 Maj, 2018

Një i arrestuar ka ndërruar jetë në dhomat e paraburgimit të Policisë së Korçës. Familjarët akuzojnë policinë për dhunë, por zyrtarisht thuhet se ka vdekur nga shkaqe natyrale. Ekspertiza mjeko-ligjore do të përcaktojë shkakun e vërtetë të vdekjes së të riut.

Dy orë pasi u lajmëruan për vdekjen e djalit të tyre në dhomat e izolimit rrethuan komisariatin. Janë familjarët e 27-vjeçarit Enea Ftoi dhe mbështetësit e tyre të komunitetit rom.

“Më thanë që është në gjumë. Që dje nuk po jepte përgjigje nga ora 12”.

27-vjeçari nga Korça, Enea Ftoi, ndërroi jetë në izolim tre ditë pasi ishte arrestuar për vjedhje.

Familjarët akuzojnë për dhunë ndaj të riut tre punonjës policie. Këtë të enjte, Ftoi do të dilte në gjykatë për masë sigurie.

“Burrin unë do ta lë në morg derisa të marr të vërtetën”.

Bashkëshortja e viktimës akuzon policinë lokale për dhunë dhe mosdhënien e ndihmës mjekësore, pasi 27-vjeçari ishte përdorues i lëndëve të forta narkotike.

“E vranë vetë. Kam qenë vetë, kur me ka thënë, Entelë po më venë gjilpërën me zor”.

Familjarët kanë refuzuar të tërheqin nga morgu trupin e të riut, pa u zbardhur e vërteta e vdekjes së tij. Babai i tre fëmijëve  gjeti vdekjen në rrethana ende të paqarta në Komisariatin e Korçës.

Ai vetëm një muaj më parë kishte kryer një dënim për vjedhje, kur policia e arrestoi përsëri. Policia e Korçës në një komunikatë sqaron se në trupin e 27-vjeçarit nuk janë konstatuar shenja dhune dh çështja po hetohet në bashkëpunim me prokurorinë. Ndërsa ka përfunduar ekspertiza mjeko ligjore e 27 vjeçarit. Tre ekspertët kanë marrë kampione nga organet e të riut për t’i analizuar dhe për të përcaktuar shkakun e vdekjes. Akti i ekspertimit do të vihet në dispozicion të Prokurorisë brenda tre javësh. Familjarët kanë tërhequr trupin e Enea Ftoit nga morgu./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!