Konstituohet Këshilli Bashkiak i Tiranës, Veliaj betohet për mandatin e dytë

schedule22:20 - 30 Korrik, 2019

schedule 22:20 - 30 Korrik, 2019

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj u betua para Këshillit Bashkiak të dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit, se do të vijojë intensivisht punën për tranformimin e Tiranës. I pranishëm në mbledhjen e parë ishte edhe kryeministri Edi Rama, i cili tha se pavarësisht sulmeve politike, socialistët nuk i ndal asgjë për të punuar me përkushtim.

Erion Veliaj u betua pasditen e kësaj të marte, për një mandat të dytë në krye të Bashkisë së Tiranës.

“Betohem”.

Gjatë fjalës së tij të parë si kryetar i bashkisë më të madhe në Shqipëri, Veliaj solli në vëmendje situatën në të cilën e gjeti bashkinë 4 vjet më parë, ndërsa u zotua se do të vijojë me përkushtim maksimal punën për transformimin e Tiranës.

“Jam sot shumë krenar që Tiranën e kemi kthyer në një qytet shumë cilësor për fëmijët dhe do të doja që t’i kishim gjithmonë parasysh në të gjithë vendimmarrjet tona. 17 shkollat e reja janë në punë e sipër.  Ne kemi ndryshuar ligjet e Urbanistikës, çdo leje tani jo vetëm taksohet më shumë ndërtuesi, por kushtëzohet me marrjen e tokës së pandërtuar në dhuratë, pra në pronësi të Bashkisë, për t’u siguruar që të njëjtën gjë që po bëjmë me shkollat të bëjmë me kopshtet e çerdhet e Tiranës”.

Betimin e kryetarit të Bashkisë e parapriu konstituimi i Këshillit Bashkiak të Tiranës, ku kryetar u zgjodh zv.mninistri i Drejtësisë,  Toni Gogu. Në detyrën e nënkryetarëve u zgjodhën Vjollca Braho dhe Luan Bregasi.

Në mbledhjen e parë të këshillit të Ri bashkiak ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, i cili listoi një sërë projektesh që do të gjejnë zbatim në 4 vitet e ardhshme.

“Piramida që do hapet, kampusi i ri universitar që  do ndërtohet brenda këtij mandati të sapo nisur sot, teatri tjetër kombëtar për fëmijët pas këtij për të rriturit, kopshti i ri zoologjik, unaza e madhe ajo që shtrihet përtej unazës së re dhe lidhet me Bregun e Lumit, parku olimpik që duhet të plotësohet sheshi Nënë Tereza që do të këmbësohet dhe ndërtesa e re e akademisë së arteve. Nuk do shembin këtë që është, por pjesa plotësuese që asaj i ka ardhur fundi u ndërtua në komunizëm por nuk është më. Biblioteka kombëtare, rrjeti i ri i agroturizmit përreth”.

Rama iu përgjigj edhe akuzave të opozitës për lidhje me oligarkët, duke folur me gjuhën e shifrave.

“Kryebashkiaku i dështuar që përmes një tatëpjete nga humbja në humbje kërkon të ngjitet dhe të bëhet kryeministër i dha 880 mijë metra katrorë ndërtim në vetëm 85 leje. Ndërsa kryebashkiaku ynë që sot nis zyrtarisht mandatin e dytë firmosi 130 metra katrorë ndërtim më pak për 100 leje ndërtimi më shumë. Tani, më falni, kush është i të ashtuquajturve oligarkë dhe pasanikë?”.

Gjatë mbledhjes së të martës, u bë edhe betimi i 61 këshilltarëve të rinj të bashkisë së Tiranës.  /ABC News Albania 24/7