TIRANË- Kryeministri i vendit, Edi Rama ishte i pranishëm në prezantimin e pesë projekteve të përzgjedhura në kuadër të konkursit ndërkombëtar për “Tirana Fountain Tower”.
Gjatë fjalës së tij, Rama u shpreh se projekti synon të sjellë një rikonceptim të zonës së njohur si Tajvani, duke theksuar se bëhet fjalë për një investim të sipërmarrjes private në një pronë private.
Sipas Ramës, përmes konkursit ndërkombëtar synohet që projektimi i kullës dhe rikonceptimi i zonës t’u besohen profesionistëve me eksperiencë në arkitekturë dhe planifikim urban.
“Sot ne rikthemi të bëjmë atë që dimë të bëjmë më mirë kur vjen puna te zhvillimi i projekteve me rëndësi të veçantë, të cilat tani prej vitesh ua besojmë profesionistëve me profile dhe me karriera të veçanta në fushën e planifikimit, në fushën e projektimit arkitektonik dhe të ndërtimit të objekteve që kanë një impakt me rëndësi për qytetet tone, një impakt me rëndësi për zona të caktuara ku lidhen bashkë zhvillimi individual i një prone me zhvillimin më tërësor të një komunitetit apo të vendit.
Jemi praktikisht në një kohë ku nevojat dhe ambiciet janë më të mëdha.
Ky është një projekt i sipërmarrjes private në një pronë private, është një projekt, që për arsye që zhvillohet në zemër të parkut, brenda perimetrit të pronës private, aty ku aktualisht jemi në kushte që duhet rindërtuar, por nga ana tjetër ndërtimi do ketë impakt në të gjithë hapësirën përreth.
Po zhvillojmë një konkurs ndërkombëtar duke ia besuar në radhë të parë një mundësie zgjedhjeje të gjerë vendimin për cila do jetë mënyra se si do rikonceptohet dhe rizhvillohet Tajvani.”, tha Rama.


