Rreth orës 12:00, në pikën e kontrollit në Rrethin e Alikokës, një automjet fuoristradë, tip “Range Rover”, me ngjyrë të zezë, nuk iu bind shërbimeve të Policisë për të ndaluar, duke vijuar rrugën në drejtim të fshatit Peshkëpi. Gjatë ndjekjes, në vendin e quajtur Ura e Peshkëpisë, ky automjet ka dalë nga rruga, duke goditur barrierat mbrojtëse të saj.
Në këtë automjet ndodheshin tre shtetas, konkretisht shtetasi Luan Muça, drejtues i automjetit, dhe dy pasagjerët, shtetasit Klaudio dhe Mandrit Lleshaj, vëllezër, punonjës të SH.P.S.F. “Sëat Security”.
Si pasojë e daljes nga rruga, shtetasit Luan Muça dhe Mandrit Lleshaj janë dëmtuar dhe janë transportuar për ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal të Vlorës, jashtë rrezikut për jetën.
Gjatë kontrollit të automjetit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri, pistoletë, së bashku me një krehër me 16 fishekë luftarakë.
Rreth orës 13:00, pika e kontrollit e ngritur nga shërbimet e DVP Fier, në vendin e quajtur Mbikalimi i Memorialit, ka ndaluar një nga automjetet e shpallura në kërkim, me drejtues shtetasin kosovar Blerim Heta.
Nga këqyrja dhe kontrolli i automjetit u konstatua se kishte dëmtime në xhamin nga krahu i pasagjerit, të shkaktuara, dyshohet, me armë zjarri. Në brendësi të automjetit u gjetën tre fishekë pistolete.
Rreth orës 16:30, në bypass-in e Vlorës, afër fshatit Kaninë, është konstatuar duke u djegur një automjet tip “Audi A8”, i dyshuar se është përdorur nga autorët në ngjarje.
Nga tërësia e veprimeve hetimore rezulton se shtetasi Luan Muça, së bashku me disa shtetas të tjerë, ka shkuar në hotelin në pronësi të shtetasit Vasil Bedinaj, të cilit, nën kërcënimin e armëve dhe dhunës fizike, i kanë vendosur një gjobë prej 5 milionë eurosh dhe e kanë kërcënuar që, pas 48 orësh, të largohej nga Shqipëria.
Ndërkohë, shtetasi Angjelo Breshani ka shkuar te automjeti i shtetasit Vasil Bedinaj dhe ka marrë armën e zjarrit që ky e posedon me leje dhe ka qëlluar në drejtim të automjeteve të personave që ndodheshin aty.
Në përfundim të veprimeve, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
– Luan Muça, 55 vjeç, banues në Tiranë;
– Klaudio Lleshaj, 29 vjeç, banues në Tiranë;
– Mandrit Lleshaj, 33 vjeç, banues në Tiranë;
– Blerim Heta, 40 vjeç, shtetas kosovar;
– Angjelo Breshani, 29 vjeç, banues në Vlorë.
Janë shpallur në kërkim 6 shtetas dhe 4 automjete të dyshuara se janë përfshirë në ngjarje dhe vijon puna intensive për kapjen e tyre.
Në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë veprimet hetimore dhe operacionale për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje.
Materialet do t’i referohen Prokurorisë për veprat penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes për dhënie pasurie”, kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”. / abcnews.al /

