Në konferencën e parë për shtyp në një vit, Trump njoftoi se SHBA do të tërhiqet nga stërvitjet e përbashkëta me Korenë e Jugut pasi sipas tij tashmë provokojnë Phenianin. Gjithashtu bëri të ditur se I beson liderit Kim Jong-un.
“Unë i besoj udhëheqësit të Koresë së Veriut, Kim Jong-un”.
Me këto fjalë, presidenti amerikan, Donald Trump, doli në një konferencë për shtyp për të sqaruar rezultatin e këtij takimi historik. Lideri i Shteteve të Bashkuara tha se biseda me udhëheqësin e Koresë së Veriut ishte e sinqertë, e drejtëpërdrejtë dhe produktive. Kreu i Shtëpisë së Bardhë nënvizoi se do t’i japë fund stërvitjeve ushtarake të përbashkëta me Korenë e Jugut, te cilat provokojnë Veriun. Sipas tij, kjo do të shkurtojë ndjeshëm shpenzimet në buxhetin amerikan.
“Unë dëshiroj që t’i largoj ushtarët tanë, dua t’i sjell ata në shtëpi”, nënvizoi Trump. Më tej presidenti amerikan u shpreh i bindur që Kim Jong-un do të përmbushë premtimet e dhëna dhe theksoi se SHBA nuk do të paguajë për shpenzimet e çarmatosjes bërthamore. Ai bëri të ditur se nuk ka bërë asnjë lëshim në bisedimet me udhëheqësin e Koresë së Veriut.
Trump njoftoi më tej se ka biseduar me Kim edhe rreth të drejtave të njeriut. Gjithashtu presidenti amerikan tha se sanksionet ndaj regjimit të Phenianit do të hiqen vetëm pas çarmatosjes së plotë bërthamore të Koresë së Veriut. Një tjetër detaj i rëndësishëm i njoftuar në konferencë ishte ftesa e Trump ndaj Kim për vizitë zyrtare në SHBA. Sipas raportimeve, udhëheqësi i Koresë Komuniste ka pranuar ftesën. Gjithashtu presidenti amerikan bëri të ditur se i ka thënë liderit Kim Jong-un që Koreja mund të ketë hotelet më të mira në botë. Ndoshta kjo është një e dhënë që Trump mund të investojë në vendin komunist./abcnews.al