Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj kritikave për financimin me 4 milionë euro të koncertit të Kanye West, duke argumentuar se ndërhyrja ishte e domosdoshme për të shmangur dëmtimin e imazhit të Shqipërisë dhe për të garantuar zhvillimin e një eventi me ndikim të madh ekonomik e turistik.
Sipas kreut të qeverisë, eventi pritet të sjellë jo më pak se 100 milionë euro të ardhura për ekonominë shqiptare, përmes rritjes së turizmit, konsumit dhe rezervimeve në struktura akomoduese. Ai krahason ndikimin ekonomik të koncertit me finalen e UEFA Europa Conference League Final, e cila sipas të dhënave të përmendura prej tij gjeneroi rreth 160 milionë euro të ardhura.
Rama akuzon kritikët se po manipulojnë opinionin publik duke e paraqitur koncertin si një “koncert privat” dhe duke pretenduar se fondet janë marrë në dëm të sektorëve të tjerë, përfshirë shëndetësinë.
Kryeministri thekson se qeveria ka miratuar së fundmi financime shtesë për ilaçet e pacientëve me kancer, aparaturat mjekësore, mbështetjen për personat me aftësi të kufizuara, fëmijët me aftësi të veçanta, programet për startup-et, biznesin dhe bonusin për pensionistët.
Në përfundim të reagimit, Rama akuzon kundërshtarët se synojnë të pengojnë zhvillimin e vendit dhe deklaron se Shqipëria do të vijojë përpara në rrugën e saj të zhvillimit dhe integrimit europian.



