“Komshiu më ka jetën në dorë”, Manastirliu: 85 mijë vaksinime me dozë të tretë në vend

schedule11:11 - 8 Dhjetor, 2021

schedule 11:11 - 8 Dhjetor, 2021

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka apeluar nga pika e vaksinimit në Kukës për vaksinimin me dozën e tretë për të rritur mbrojtjen për qytetarët, në kushtet e shqetësimit të rritur nga variantet e reja. Ajo u shpreh se deri më tani janë 85 mijë qytetarë në vend që kanë marrë dozën e tretë të vaksinës.

“Edhe me variantin e ri Omicron ende kemi shumë për të mësuar sepse ende ka paqartësi. Shqipëria ka një situatë të qëndrueshme por kemi ende infektime. Kemi mësuar më mirë të parandalosh se të kurosh. Ne kemi një armë në dorë dhe kjo është vaksina. Ne nuk po e ndalim punën për të rritur mbulesën vaksinale. Vaksinimi është puna e të gjithëve. Nuk është çfarë më duhet mua se çfarë bën komshiu. Sepse ai komshiu më ka jetën në dorë.

Në qarkun Kukës janë realizuar më shumë se 30 mijë vaksinime për bashkinë Kukës. Thelbësore mbetet rritja e mbulesës vaksinale.  Ata që kanë kaluar 6 muaj nga doza e dytë mund të bëjnë dozën e tretë për të rritur imunitetin në kuadër të varianteve të reja që po shqetësojnë botën mbarë. Ne jemi derë në derë bashkë me strukturat tona të shëndetësisë.

Kemi kryer më shumë se 1  mln e 90 mijë vaksinime dozë të parë dhe dytë. Më shumë se 970 mijë vaksinime të dozave të dyta dhe mbi 85 mijë vaksinime të dozave të treta. Ajo që duhet në këto ditë është sa më shumë garanci përmes vaksinimit. Nëse duam të mblidhemi bashkë me festa duhet të vijojmë këtë fushatë vaksinimi duke vaksinuar ata që për një arsye apo tjetër nuk janë vaksinuar ende. Të gjithë duhet të dëgjojnë zërin e shkencës. Nuk ka kohë për të humbur për t’u kujdesur për shëndetin e vetes dhe të tjerëve”, deklaroi Manastirliu.

I pranishëm ishte dhe Kryetari i Bashkisë Kukës, Safet Gjici, i cili u bëri thirrje qytetarëve të Kukësit në të gjitha njësitë administrative që të vaksinohen. “Si kryetar bashkie u bëj thirrje gjithë qytetarëve që të vaksinohemi sa nuk është vonë, sepse vaksina siç ka treguar është mbrojtja më e mirë kundër virusit. Unë besoj që jemi në rrugën e duhur, por natyrisht fushata duhet të vazhdojë bashkë me drejtorinë e shëndetit publik, bashkë me administratorët e njesive, bashkë me kryetarët e fshatrave që ne të bëjmë thirrje që të vaksinohen qytetarët e bashkisë Kukës”, tha Gjici.

Sipas MSH, prej fillimit të vaksinimit janë kryer 2,161,198 vaksinime. Më shumë se 980 mijë qytetarë i kanë kryer të dy dozat e vaksinës, ndërsa mbi 85 mijë janë vaksinuar edhe me dozën e tretë. /Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!