Komplot për vrasjen e Macron, autoritetet franceze arrestojnë 6 persona

schedule18:43 - 6 Nëntor, 2018

schedule 18:43 - 6 Nëntor, 2018

Autoritetet në Francë kanë vënë në pranga anëtarët e një grupi kriminal, që kishte përgatitur një atentat ndaj presidentit Emanuel Makron. Ndonëse të papërgatitur në aspektin profesional, autoritetet i kanë cilësuar të arrestuarit si persona me rrezikshmëri të lartë.

Të paktën 6 persona janë arrestuar në Francë në dyshimin se kishin planifikuar të kryenin një sulm të dhunshëm ndaj presidentit Emanuel Makron. Personat në fjalë, 5 burra dhe një grua, u arrestuan nga shërbimet franceze të sigurisë në rajonin BRITË’, në jug-lindje të Francës. Autoritetet kanë nisur menjëherë hetimet dhe ndaj të dyshuarve kanë ngritur akuzën e “grupit kriminal me qëllime terroriste”. “Hetimet janë fokusuar në pistën e komplotit, që të paktën deri në këtë fazë nuk ishte organizuar mirë, por parashikonte kryerjen e aksioneve të dhunshme ndaj presidentit të republikës”, ka deklaruar një prokuror i çështjes. Të dyshuarit ishin mbajtur prej kohësh nën përgjim nga agjentët e Drejtorisë së përgjithshme për sigurinë e brendshme. Ata u bllokuan nga forcat speciale në lokalitetet MOZEL dhe IZER. Lajmi vjen në një kohë kur Makron po kryen një tur në veri të Francës, për të kujtuar 100-vjetorin e armëpushimit të Luftës së Parë Botërore. Vitin e kaluar, një djalë 23-vjeçar u arrestua nën akuzën se kishte planifikuar vrasjen e presidentit francez gjatë paradës për Ditën e Bastijës, më 14 korrik, pasi policia u lajmërua nga përdoruesit e forumit të një loje elektronike. /abcnews.al