Gjykata për Krimet e Rënda nuk ka marrë në shqyrtim një kërkesë penale të grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Ankimi i PD kundër një vendimi të prokurorisë për të mos hetuar zyrtarë të PS, mes të cilëve kryeministrin Edi Rama, u dërgua në Gjykatën e Lartë për zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës.
Gjykata për Krimet e Rënda ka dërguar në Gjykatën e Lartë një kërkesë penale të grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Shkak është bërë konflikti i kompetencës se cila është gjykata që duhet ta shqyrtojë atë.
Bëhet fjalë për ankimin e bërë nga PD kundër vendimit të Prokurorisë së Tiranës për të mos hetuar kryeministrin Edi Rama, ministrin Damian Gjiknuri, Avokaten e Shtetit, Alma Hicka dhe Sekretarin e Përgjitshëm të Kryeministrisë, Engjëll Agaçi për akuzën e “shpërdorimit të detyrës”.
Sipas kallëzimit të bërë nga PD në Shkurt të vitit 2018, vepra penale nga të përmendurit dhe të tjerë pretendohet të jetë bërë gjatë marrëveshjes mes Shqipërisë dhe CEZ. Firmëtarët e kallëzimit kërkonin hetim të rastit duke ngritur dyshime se nga kjo marrëveshje i është shkaktuar vendit dëm financiar që llogaritet në qindra milionë euro. Pas verifikimeve të para Prokuroria e Tiranës vendosi mosfillim hetimi për këtë çështje, me argumentin e mosgjetjes së elementëve të veprës penale.
Vendimi është kundështuar nga grupi i PD në Gjykatën e Tiranës, e cila e ka përcjellë dosjen për kompetencë tek Krimet e Rënda. Së fundmi, as kjo gjykatë nuk e ka mbajtur çështjen në dorë. Përmes një vendimi të shpallur nga gjyqtarja Ilirjana Olldashi, Krimet kanë shpallur moskompetencën për shqyrtimin e saj. Çështja i është përcjellë Gjykatës së Lartë për të zgjidhur mosmarrveëshjen e kompetencës.
Paqartësia e kompetencës lëndore deri në ngritjen e SPAK dhe GJKKO krijoi kaos me dosjet tek Krimet e Rënda në dy muajt e fundit. Dhjetëra dosje u shpërndanë në gjykata të zakonshme, por bazuar në një vendim njehsues të Gjykatës së Lartë të datës 4 Prill, një pjesë e tyre u rikthyen tek Krimet./abcnews.al
Gazetar: Armand Bajrami