Komiteti ndërministror për Emergjencat në Lezhë: Janë kryer 420 verifikime për dëmet në banesa

schedule19:40 - 12 Dhjetor, 2019

schedule 19:40 - 12 Dhjetor, 2019

Përfaqësuesi i komitetit ndërministror për emergjencat në qarkun Lezhë ka informuar se janë zhvilluar 420 verifikime të godinave të dëmtuara nga tërmeti si dhe janë njoftuar banorët të largohen për rastet kur godinat kanë paraqitur rrezikshmëri.

Xhafaj njofton gjithashtu se është marrë vendimi për miratimin e bonusit të qerave dhe se kanë aplikuar deri tani 351 familje.

Ndërkohë në Laç vijon puna për njoftimin e çdo banori në 7 pallatet që janë shpallur si të pabanueshëm, dhe më pas do të vijohet për shembjen e tyre nga grupet e IKMT-së.

“Informim për publikun nga përfaqësuesi i Komitetit Ndërministror për Emergjencat në qarkun Lezhë, Etjen Xhafaj:

Vazhdon puna me skuadrat e terrenit për të verifikuar dëmet dhe godinat e dëmtuara. Deri në drekë sot janë zhvilluar 420 verifikime në terren dhe janë njoftuar të gjithë banorët në raster kur godinat duhet të evakuoheshin.

Këshillat bashkiakë të bashkive Lezhë, Kurbin dhe Mirditë kanë marrë vendimet për miratimin e bonusit të qerave.

Nga dje në mëngjes ka filluar aplikimi për banorët e të gjithë zonave, sidomos për ata të cilët janë spostuar aktualisht drejt hoteleve apo çadrave.

Deri tani 351 familje që kanë aplikuar për këtë bonus qirash, dhe nga nesër do të kemi miratimin edhe të listave të qirave për të mundësuar që këtë fonde të jenë pranë familjeve të cilat kanë nevojë për to.

Gjithashtu është marrë edhe një vendim nga Këshilli Bashkiak i Bashkisë Kurbin për sa ju përket 7 godinave, të cilat konsiderohen me rrezikshmëri të lartë.

Aktualisht janë duke u njoftuar individualisht banorët e pallateve numër 125, 126,127,129, 130, 131 dhe 133 të gjitha në lagjen numër 4 në Laç dhe pasi të jetë mbyllur e gjithë koha për këto njoftime, do të kemi edhe shembjen e tyre të kontrolluar nga grupet e IKMT-së dhe nga Ministria e Mbrojtjes.

Aktualisht sot janë shpërndarë dhe ngritur nga Forcat e Armatosura Shqiptare 57 çadra dimërore në terren duke zëvendësuar një pjesë të çadrave, me të cilat ishin pajisur në momentet e para të emergjencës banorët dhe të cilat duheshin ndryshuar.

Në bashkinë Kurbin, nga vlerësimet kemi 1000 objekte të inspektuara nga të cilat 239 janë të pabanueshme, 7 nga ato që u përmendën më sipër, janë për t’u prishur.

Në bashkinë e Lezhës kemi 1200 objekte të inspektuara deri tani, nga të cilat 70 janë të pabanueshme.

Bashkia Mirditë ka gjithashtu 80 objekte të inspektuara nga të cilat 51 janë të pabanueshme.

Aktualisht po vijon mësimi normalisht me 2 turne në ato shkolla, të cilat ku kemi spostuar një pjesë të nxënësve që kanë qenë pjesë e shkollave të dala jashtë funksionit për arsye të heqjes së riskut nga qytetarët.

Gjithashtu kemi marrë deri sot 215 telefonata nga qytetarë të ndryshëm, të cilët kanë marrë përgjigjen, qoftë nga njësitë e pushtetit vendor, qoftë nga Qendra Operacionale për Emergjencën Civile në Lezhë“, thuhet në njoftim./abcnews.al