Komiteti liroi masat për Vitin e Ri, Bino: Kjo solli përhapjen e Omicronit

schedule12:42 - 7 Janar, 2022

schedule 12:42 - 7 Janar, 2022

Shefja e Departamentit të Epidemiologjisë në Institutin e Shëndetit Publik, anëtare e Komitetit Teknik të Ekspertëve Silva Bino u shpreh në “ABC” se në Shqipëri po dominon përhapja e variantit Omicron. Fajin ua vendosi Krishtlindjeve dhe lehtësimit të masave në natën e ndërrimit të viteve, ku u hoq ora policore për të lejuar festën deri në orët e para të mëngjesit në club-e nate.

Omicron ka hyrë në vendin tonë dhe janë kryesisht raste të importuara dhe deri në javën e 50-të, deri në 20 dhjetor ne na ka predominuar virusi Delta dhe Omicron është vendosur re vetëm në disa raste të lidhura me udhëtime jashtë.

Pas Krishtlindjeve, me ardhjen e shumë personave tregon se kemi një përhapje. Ne kishim parashikuar që mund të kishim një rritje për festat. Nata e vitit të ri ka luajtur një rol me përhapjen e Omicron, nuk ka diskutim, pasi grumbullimet janë mjeti i parë që shkakton përhapjen e virusit. Aktualisht ne kemi përhapje të Omicronit në vendin tonë. Futja e Omicronit i dedikohet Krishtlindjeve, datave 24 dhe 25.

Është e vërtetë që hapja gjatë festave të fundvitit mund të ketë luajtur një rol. Të dhënat e javës që shkoi, ne shikojmë se pas Krishtlindjeve kemi një rritje të rasteve të moshës 25-34-45-vjeç që është mosha më aktive që shkon në club-e dhe festa. Numri në spital është rritur dhe kjo është e pritshme, sepse kur rritet numri i rasteve kemi rritje edhe në spital, rëndësi kanë format klinike” tha ajo.

Taulant Muka kërkoi që të rritet numri i testimeve, gjë për të cilën Bino tha se është bërë dhe po bëhet. “Testimet vazhdimisht duhet të rriten, pavarësisht festave. Testimet janë rritur përmes një bashkëpunimi të testimeve shtetërore me test të shpejtë dhe PCR. Në Shqipëri janë rritur gati katërfish kapacitetet e PCR dhe ngritjes së një rrjeti të laboratorëve publikë dhe privatë” tha ajo.

Bino kritikoi zbatimin e masave. “Këto masa që kemi nuk zbatohen dhe organet ligjzbatuese nuk i kontrollojnë si duhet. Mbajtja e maskave është e rëndësishme. Shkojnë në opera nuk mbajnë maska, nuk paraqesin certifikatën, por nuk zbatohen masat” tha ajo. Në fund shefja e Departamentit të Epidemiologjisë theksoi se në Shqipëri ende nuk është regjistruar asnjë rast i variantit “Flurona”, që është kombinim i gripit me koronavirusin.

/ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!